Në hije të suksesit të Donjeta Sadikut në Evropian dhe pa ndonjë bujë, javën e kaluar në Obiliq është mbajtur Kampionatin Individual i Kosovës në boks. Për dy ditë janë zhvilluar meçe të shumta. Disa ishin cilësore e disa jo, por kampionët u shpallën, medaljet u ndanë dhe një aktivitet u përfundua.
Por jo të gjithë ishin të kënaqur me mënyrën se si shkoi rrjedha e garës. Disa pezmin e kanë shprehur edhe duke kaluar kufijtë, që, sipas Federatës së Boksit të Kosovës, nuk mund të kalohen. Ka pasur punë edhe për Komisionin Disiplinor të FBOXK-së.
Ky organ, duke u bazuar në raportin e delegatit të kampionatit, ka dënuar për një vit trajnerin e Besës së Pejës, Burhan Xhafa. Sipas vendimit, që Federata e ka publikuar të premten, Xhafa e ka përsëritur gabimin që e kishte bërë edhe vitin e kaluar.
“U vërsul dhe ofendoi personat zyrtarë, duke treguar dhunë. Rrotulloi tavolinën e personave zyrtarë, si dhe nuk kurseu asgjë nga gjuha ofenduese dhe kërcënuese ndaj të gjithë zyrtarëve”, shkruan në vendim.
Xhafës i ndalohet ushtrimi i funksionit të trajnerit për një vit.
Boksieri i Besës, Lorent Murati, është dënuar me gjashtë muaj mospjesëmarrje në gara. Sipas vendimit, ky boksier ka hedhur medaljen dhe ka shqyer diplomën zyrtare të FBOXK-së.
Ndërkohë trajnerit të Dukagjinit të Klinës, Hajdin Balaj, i është shqiptuar masa “vërejtje” për ofendim të personave zyrtarë, përkatësisht gjyqtarëve.
Nuk janë të reja vërejtjet dhe ankesat ndaj gjyqtarëve kosovarë të boksit. Thuajse në secilën garë ka pakënaqësi. Ka edhe dyshime për favorizim të qëllimshëm të ndonjë boksieri. Dhe rrjedhimisht ka edhe raste kur pakënaqësitë kalojnë kufirin.
Burhan Xhafa pas Kampionatit të Kosovës kishte deklaruar se largohet nga boksi.
“Me keqardhje ju lajmëroj se paraqes dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha postet që i përkasin boksit, për shkak të pakënaqësive, hileve, dëmtimeve në rezultate dhe ndërskamcave shumëvjeçare. Sidomos për shkak të dëmtimit të boksierëve dhe personalisht ndaj meje”, ka shkruar Xhafa në rrjetet sociale. Në një postim tjetër Xhafa shkroi se boksierit të tij iu mor fitorja për t’i bërë nder dikujt tjetër.