Komisioni Disiplinor i Federatës së Boksit të Kosovës ka shqiptuar masë disiplinore ndaj selektorit të Kosovës në boks, Besim Brahimi.
FBOXK të premten ka publikuar vendimin që është marrë më 28 prill. Brahimit i është shqiptuar masa disiplinore “qortim”.
“Selektorit Besim Brahimi i shqiptohet masa disiplinore (qortim) për sjelljen e tij ndaj boksieres Donjeta Sadikut para ceremonisë së hapjes solemne të turneut. Ky vendim hyn në fuqi duke filluar nga data e miratimit”, thuhet në vendim.
Bëhet fjalë për sjellje të Brahimit në turneun ndërkombëtar “Strandja” të mbajtur në Bullgari në muajin mars. Por nuk është bërë e ditur se çfarë veprimi ka bërë Brahimi, trajneri shumëvjeçar i Donjeta Sadikut, boksieres më të mirë në vend.
Pas Lojërave Olimpike “Tokio 2020”, Sadiku e Brahimi kanë ndarë rrugët. Ajo tani punon me Marjola Sallaukën, që edhe ka bërë ankesën. Raportet mes Donjetës dhe trajnerit Brahimi duket se nuk janë të mira.
Edhe
Besim Brahimit i ndalohet për dy vjet ushtrimi i funksionit të trajnerit në garat e boksit
KOHA ka pyetur edhe zyrën e FBOXK për arsyen e qortimit të Brahimit por nuk ka marrë informatë tjetër.
Vërejtje u është dhënë trajnerëve të Trepçës për sjellje jo sportive ndaj personave zyrtarë.