Sport

Ndryshime te Shqipëria, Muçolli e Çokaj në vend të Bares e Çekiçit

Ka pësuar ndryshime ekipi i Shqipërisë për ndeshjet kualifikuese ndaj Izraelit dhe Islandës, ka njoftuar Federata Shqiptare e Futbollit të hënën. Për shkak të lëndimeve, Keidi Bare dhe Endri Çekiçi nuk do të grumbullohen për ndeshjet e këtij muaji.

Në vend të tyre, selektori Edoardo Reja ka ftuar Enis Çokajn dhe Arbnor Muçollin, që ishin në listën e pritjes. Mesfushori Çokaj, ditë më parë është transferuar nga Lokomotiva e Zagrebit te gjiganti grek, Panathinaikos. 23-vjeçari i ka tri paraqitje për Shqipërinë deri më tani.

Edhe Muçolli është 23-vjeçar e po ashtu mesfushor. Ai luan për Vejlen në Danimarkë. Muçolli ka luajtur për U18 të Danimarkës, ndërsa më pas kaloi te Shqipëria. Ka luajtur për U20 e U21 të Shqipërisë, ndërsa ka debutuar te Shqipëria A më 13 qershor në miqësoren ndaj Estonisë.

Sipas FSHF-së, në dyshim është edhe paraqitja e sulmuesit Myrto Uzuni. Ai i është nënshtruar testimeve mjekësore dhe brenda dy-tri ditëve do të mësohet nëse do të jetë gati për lojë. Për shkak të telasheve të Uzunit, me Shqipërinë është grumbulluar edhe sulmuesi i përfaqësueses U21, Eljon Toçi. Bëhet fjalë për sulmues 19-vjeçar, që po zhvillohet te Fiorentina.

“Toçi mund të qëndrojë me ekipin për dy sfidat zyrtare, nëse Uzuni nuk do t’ia dalë të tejkalojë problemet fizike”, ka njoftuar FSHF-ja.

Lojtarët e Shqipërisë të hënën kanë nisur përgatitjet për ndeshjet me Izraelin dhe me Islandën. Ndeshja me Izraelin luhet në Tel Aviv më 24 shtator, ndërsa me Islandën në Tiranë më 27 shtator.

Janë ndeshjet e fundit të edicionit të tretë të Ligës së Kombeve. Shqipëria bën pjesë në grupin 2 të Ligës B. E ka një pikë nga dy ndeshje. Izraeli udhëheq me pesë pikë, ndërsa Islanda i ka tri pikë.

Shqipëria kërkon dy fitore për të dalë e para në grup dhe për të kaluar në Ligën A të Ligës së Kombeve, që është niveli elitar.