Në shkurt të vitit 2002, disa muaj përpara se të bëhej një nga sensacionet e Kampionatit Botëror që u mbajt në Kore të Jugut dhe Japoni, Përfaqësuesja e Senegalit iu afrua fitimit të titullit të parë të madh. Senegali kishte luftuar fort për të arritur në finalen e Kupës së Afrikës, ku u përball me Përfaqësuesen e Kamerunit. Ndeshja shkoi deri në një penallti që u vendosën në mënyrën më mizore, me Aliou Cissen që dështoi nga pika e bardhë për t’i dhënë fitoren Kamerunit.
Por, fati ishte me Senegalin kur arriti në finalen e Kupës së Afrikës të mbajtur në fillim të këtij viti. Senegali e mundi Egjiptin pas penalltive për të fituar për herë të parë trofeun e çmuar të futbollit afrikan. Cisse ishte sërish aty, tani si trajner i vendit të tij, duke parë nga ana tjetër teksa skuadra e tij triumfonte në penallti për të kaluar fatkeqësinë që i kishte ndodhur 20 vjet më parë.
Historia e tij e suksesit si trajner i Senegalit ka shumë më tepër, sesa “dështimi” i tij si lojtar. Nën udhëheqjen e tij, Senegali është kualifikuar dy herë rresht në Kampionatin Botëror, për herë të parë në histori. Pasi u eliminua në fazën e grupeve në Botërorin “Rusia 2018”, Senegali do të shpresojë të paraqitet më mirë në Katar këtë vit, ku bën pjesë në Grupin A me Holandën, Ekuadorin dhe Katarin.
Një mbrojtës dhe mesfushor i gjithanshëm në ditët e tij si lojtar, Cisse kaloi pjesën më të madhe të karrierës nëpër klube në Evropë, duke luajtur për ekipe, si Lille, Paris Saint-Germain dhe Montpellier në Francë dhe Birmingham City e Portsmouth në Angli. Ai gjithashtu ishte kapiten i Senegalit në debutimin e këtij vendi në Botërorin e vitit 2002, kur barazoi rekordin afrikan duke arritur në çerekfinale, një fazë e garës që asnjë ekip nga kontinenti nuk e ka tejkaluar ndonjëherë. Duke pasur parasysh kontributin e tij në ato ndeshje dhe pavarësisht nga humbja fatale e penalltisë në AFCON, Cisse pati një ndikim të rëndësishëm në ecurinë ndërkombëtare të Senegalit.
Megjithatë, gjatë kohës si trajner ai është bërë një figurë edhe më me ndikim në futbollin senegalez. I emëruar në vitin 2015, Cisse e çoi Senegalin në finalen e Kupës së Afrikës në vitin 2019, ku humbi 1:0 ndaj Algjerisë. Kur Senegali arriti edhe sivjet në finale, ishte hera e parë që luajti në dy finale rresht të Kupës së Afrikës.
Edhe
Senegali nuk vazhdon me Cissen pas ndërhyrjes së Qeverisë
Fushata e Senegalit në Botërorin “Rusia 2018” ishte gjithashtu larg nga një fatkeqësi. I gjendur në një grup të vështirë me Kolumbinë, Japoninë dhe Poloninë, Senegali përfundoi i treti, i barabartë në pikë dhe diferencë golash me japonezët, dhe humbi kalimin në 1/8 e finales për shkak se kishte marrë më shumë kartonë të verdhë.
Cisse ka shansin për të shlyer atë dalje zhgënjyese në “Katari 2022”, ku ai dhe Senegali kanë plane për të shkelur një terren të pashkelur nga afrikanët.