Fitorja e fundit ndaj Pejës ka rritur dukshëm motivin te skuadra e Sigal Prishtinës, që po kërkon kualifikimin në gjysmëfinale të plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Prishtina të martën e mposhti Pejën (93:92) për ta barazuar në 1:1 rezultatin në serinë çerekfinale të plejofit. Skuadra që e fiton ndeshjen e tretë do të vazhdojë garat tutje, përkatësisht do të kualifikohet në gjysmëfinale.
Dueli i tretë ndërmjet Pejës dhe Prishtinës zhvillohet të premten prej orës 17:00 në palestrën “Karagaçi”. Te Prishtina kanë paralajmëruar se në Pejë do të udhëtojnë për fitore. Ekipi që kalon tutje në gjysmëfinale do të përballet me të parin e pjesës së rregullt, Ponte Prizrenin.
Prishtina këtë edicion nuk ka pasur rezultate të mira në kampionat, por ka arritur ta fitojë Superkupën dhe Kupën e Kosovës.
Trajneri Ljupço Malinkov është i bindur se ekipi i tij mund të vazhdojë garat shtesë të Superligës përtej çerekfinales.
“Në ndeshjen e tretë nuk ka vend për gabime. Duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të jemi më efikas në çdo aspekt. Besoj në një paraqitje dinjitoze dhe të fortë pasi synimi është që të vazhdojmë garat. Pra, të kualifikohemi në gjysmëfinale”, është shprehur Malinkov.
Edhe te Peja janë të vendosur për ta fituar ndeshjen e tretë në shtëpi dhe të sigurojnë plasmanin në gjysmëfinale. Ekipit pejan për këtë ndeshje do t’i kthehet kapiteni Dardan Berisha që mungoi në dy përballjet e para për shkak të lëndimit.
Trajneri i Pejës, Dragan Radoviq, shpreson në një paraqitje të ekipit të tij si në ndeshjen e parë çerekfinale, të cilën Peja e fitoi bindshëm (106:77).
“Pres që të japim maksimumin në këtë moment shumë të rëndësishëm. Kemi harruar lodhjen dhe lëndimet që na kanë përcjellë kohët e fundit pasi duam të kemi një paraqitje të mirë dhe të sigurojmë kualifikimin në gjysmëfinale”, është shprehur Radoviq. “Nuk do të jetë aspak lehtë, sepse Prishtina ka cilësi individuale. Për fat të keq njëri prej dy ekipeve më të mëdha do të duhet t’i përfundojë garat në çerekfinale. I kemi parasysh gabimet që i kemi bërë në ndeshjen e fundit dhe besoj se nuk do t’i përsërisim. Me një angazhim të madh dhe cilësinë që e kemi mendoj se do të arrijmë te fitorja”.
Është në çerekfinalen tjetër, atë ndërmjet Golden Eagle Ylli dhe Bashkimit, situata është e njëjtë. Skuadra që shënon fitore do të avancojë në gjysmëfinale.
Bashkimi triumfoi në Suharekë kurse Ylli në Prizren dhe gjysmëfinalisti do të përcaktohet gjithashtu të premten. Ndeshja e tretë ndërmjet këtyre skuadrave do të luhet në palestrën “13 Qershori” në Suharekë prej orës 20:15. Skuadra që vazhdon garat në gjysmëfinale do të përballet me të dytin e pjesës së rregullt, Rahovecin.
Për dallim prej çerekfinaleve, ku fituesi vendoset me dy ndeshje të fituara, gjysmëfinalet dhe finalja luhen deri në tri fitore.
E premte
Peja – S. Prishtina (17:00)
G.E. Ylli – Bashkimi (20:15)