Basketboll

Vazhdon plejofi, Prishtina e Vëllaznimi luajnë për vend në gjysmëfinale

Prishtina

Të enjten përcaktohet gjysmëfinalisti i fundit i plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll. Nga ora 20:00, në palestrën e Pallatit të Rinisë në kryeqytet, takohen Sigal Prishtina e Vëllaznimi. Rezultati i kësaj serie çerekfinale aktualisht është 1:1, ndërsa fituesi i ndeshjes kalon në gjysmëfinale.

Prishtina e kishte fituar ndeshjen e parë çerekfinale me rezultat 72:64. Në ndeshjen e dytë, të zhvilluar më 9 prill në Gjakovë, fitore me rezultat 66:65 shënoi Vëllaznimi. Kështu gjysmëfinalisti përcaktohet në ndeshjen e tretë.

Të premten e të dielën e kaluar Prishtina luajti në Limasol të Qipros në kuadër të Ligës Ballkanike. Në gjysmëfinale të “Final  Four” e mposhti Lovqenin e Malit të Zi dhe në finale AEL-in, për ta fituar trofeun e Ligës Ballkanike për herë të tretë. Por, ky edicion i Ligës Ballkanike ishte shumë i zbehtë. Mezi u bënë pesë skuadra, kurse katër prej tyre u kualifikuan në fazën përfundimtare.

Dukshëm garë më e fortë pritet të jetë për titull të kampionit të Kosovës në basketboll. Vëllaznimi i Gjakovës, ndonëse vlerësohet autsajder ndaj Prishtinës, ka pasur kohë të gjatë në dispozicion për ta përgatitur ndeshjen vendimtare të çerekfinales.

Fituesi i ndeshjes në Prishtinë, në gjysmëfinale takohet me Trepçën. Trepça ishte e para në stinorin e rregullt dhe starton direkt në gjysmëfinale. Ndeshja e parë është në fundjavë në Mitrovicë.

Në gjysmëfinalen tjetër përballen Peja e Golden Eagle Ylli. Peja, si e dyta, po ashtu është kualifikuar direkt në gjysmëfinale. Ndërkohë Ylli dominoi në dy ndeshjet çerekfinale ndaj Bashkimit dhe kaloi tutje. Ndeshja e parë Peja – Golden Eagle Ylli është caktuar për të shtunën  në “Karagaçi”.