Sport

Ndeshja vendimtare e Zvicrës do të jetë jubilare për Shaqirin

Zvicrës i duhet fitore e thellë ndaj Bullgarisë për të siguruar kualifikimin direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm. Zvicra përballet me mungesa të mëdha, por Xherdan Shaqiri është aty. Dhe kur Shaqiri është në përbërje, e sidomos kur është në formë, atëherë çdo gjë është e mundur. Bullgaria është rival i pëlqyer i Shaqirit dhe kjo jep shpresë edhe më të madhe për helvetikët.

Për më tepër, ndeshja që luhet të hënën nga ora 20:45 në Lucern për Shaqirin është jubilare. Është ndeshja e 100-të për Zvicrën e yllit të kësaj përfaqësuese, por edhe të futbollit shqiptar.

“Është e pabesueshme që Shaqiri ka arritur në shifrën e 100 ndeshjeve”, ka thënë për “Blick”, Ottmar Hitzfeld, trajneri që e mori Shaqirin te Zvicra.

Shaqiri, tani 30-vjeçar, kishte debutuar në një miqësore ndaj Uruguait. Më 3 mars të vitit 2010. U mor në Botërorin e atij viti dhe prej atëherë është prej lojtarëve kryesorë të Zvicrës. Aktualisht është kapiten, në mungesë të Granit Xhakës.

Ndaj Bullgarisë, Shaqiri kishte shënuar tre gola në një fitore 3:1, më 6 shtator të vitit 2011. Ishte “hat-tricku” i tij i parë me përfaqësuese. Në 99 ndeshjet e deritashme, lojtari ofanziv ka realizuar 26 gola, disa që mbahen mend, si ai ndaj Serbisë.

“Bullgaria është kundërshtare e pëlqyer e tij. Kjo definitivisht mund ta ndihmoj ‘Natin’ të hënën”, ka theksuar Hitzfeld. “E kam aktivizuar Shaqirin kur ishte 18-vjeçar në ndeshje ndaj Uruguait, në vitin 2010. Karriera e tij në përfaqësuese ishte karrierë e ëndrrave. Vështirë që do ta imagjinoja një karrierë të tillë atëbotë. Por një gjë është e qartë, ai ka potencial për këtë, është thuajse klasë botërore. Një futbollit me inteligjencë të lojës, teknikë dhe instinkt”, ka theksuar trajneri ikonik i Zvicrës.

Heinz Hermann ka më së shumti ndeshje për Zvicrën, 118. Alain Geiger është i dyti në listë me 112 ndeshje, ndërsa Stephan Lichtsteiner i ka 108 ndeshje. Vetëm edhe Stephane Chapuisat me 103 ndeshje, qëndron para Shaqirit. Të gjithë këta janë pensionuar.

“Nëse qëndron i shëndetshëm, Shaqiri përfundimisht do të jetë në gjendje ta kalojë Hermannin”, ka shtuar Hitzfeld.

Ai ka treguar se Shaqiri ishte pranuar mirë në përfaqësuese. Se ishte në gjendje të luante me lojtarët e vjetër e me të rinjtë. Ishte gjithnjë i balancuar dhe në disponim. Shaqiri ka ditur të ketë argëtim dhe të jetë i koncentruar në lojë në momentin e duhur.

“Kam vetëm kujtime të mira dhe gjithnjë kam mundur të mbështetem tek ai. Sigurisht që duhet ta përkëdhelësh në momentin e duhur, por është shumë e lehtë që të kujdesesh për të”, ka theksuar Hitzfeld.

Seleksionuesi aktual, Murat Yakin, ka gjetur mënyrën se si ta nxjerrë më të mirën nga Shaqiri.

Trajneri legjendar, Hitzfeld, vazhdon të insistojë se largimi i Shaqirit nga Bayerni për në Inter në vitin 2015 ishte i gabueshëm. Sipas tij, Shaqiri është dashur të jetë më i durueshëm dhe të priste largimin e Robbenit dhe Riberys. Vendimet e tjera në karrierë të Shaqirit, Hitzfeld i vlerëson në rregull.

“Liverpooli është ekip i klasit botëror. Është gjë e madhe që ai ka lënë disa gjurmë te kjo skuadër. Te Lyoni është me rëndësi që po luan shumë”.

Prej lojtarëve që kishte te Zvicra, Hitzfeld më shumë se Shaqirin e vlerëson Stephane Chapuisatin. Për Shaqirin, Hitzfeld thotë se është dashur të marrë edhe më shumë nga karriera. Mendon se ai është kënaqur shumë shpejt.

Aktualisht Zvicra është e dyta në grupin C me 15 pikë, sa i ka edhe Italia. Ndeshjet e së hënës, që janë të fundit, vendosin se kujt do t’i takojë vendi i parë. Zvicra e pret Bullgarinë, kurse Irlanda e Veriut e pret Italinë.

Nëse Zvicra e Italia fitojnë, atëherë vendos goldallimi. Aktualisht goldallim më të mirë ka Italia, që ka shënuar 13 gola dhe ka pranuar dy. Ndërkohë Zvicra ka shënuar 11 gola dhe ka pranuar po ashtu dy. Një fitore 3:0 e Zvicrës do të mjaftonte, nëse Italia fiton 1:0 ndaj Irlandës së Veriut. Nëse edhe goldallimi është i njëjtë, vendosin ndeshjet e ndërsjella. Në ndeshjet e ndërsjella Zvicra është në avantazh, pasi ka shënuar gol në udhëtim në barazimin 1:1. Ndeshja me Italinë në Zvicër kishte përfunduar pa gola.

Plot shtatë lojtarë titullarë i mungojnë Zvicrës të hënën: Granit Xhaka, Steven Zuber, Breel Embolo, Haris Seferoviq, Ricardo Rodriguez, Manuel Akanji e Nico Elvedi.

“Duhet ta mposhtim Bullgarinë së pari. Jam i bindur se shumë tifozë do të vijnë dhe se do të jetë atmosferë e zjarrtë. Duhet të luajmë lojë ofenzive dhe të shënojmë sa më shumë gola që të jetë e mundur”, ka thënë Shaqiri.

Yakin ka folur në konferencë për shtyp për ndeshjen jubilare të Shaqirit.

“Shpresojmë të marrim rezultatin e duhur që Shaqiri të festojë këtë shifër”, ka thënë selektori zviceran.