Sport

Napoli kërkon tjetër sukses në rrugën drejt titullit

Napoli i Luciano Spallettit dhe Amir Rrahmanit do të kërkojë një tjetër sukses në elitën e futbollit të Italisë që të rrugëtojë tutje drejt titullit kampion.

Kundërshtarja e radhës për Napolin do të jetë Roma e Jose Mourinhos e Marash Kumbullës.

Napoli dhe Roma takohen të dielën nga ora 20:45 në ndeshjen e xhiros së 20-të të Serie A.

Napolitanët, që kërkojnë titullin e parë në Serie A prej vitit 1990, janë liderë në tabelë me 50 pikë.

Nuk do të jetë ndeshje e lehtë për Napolin, pasi përballë ka Romën e cila pozicionohet në vendin e pestë, por e ka vetëm një pikë më pak se Milani, Lazio dhe Interi, që zënë pozitat dy, tre dhe katër.

Kampioni në fuqi i Italisë, Milani, që në dy ndeshjet e fundit në Serie A ka një barazim e një disfatë, të dielën luan në shtëpi kundër Sassuolos.

Juventusi do të mundohet të ngjitet sërish në tabelë pas dënimit me 15 pikë për shkak të aktiviteteve të parregullta në transferime.

Në “Allianz Stadium”, Juve e pret skuadrën e Monzas, të dielën nga ora 15:00.

Trajneri Massimiliano Allegri ka thënë javën e kaluar se Paul Pogba mund të kthehet në fushën e lojës, pas dëmtimit të rëndë që e kishte në gju.

Pogba shkaku i atij lëndimi nuk luajti as në Kupën e Botës me Francën.

Juventusit i ka munguar në gjithë pjesën e parë të sezonit.

Në fundjavë në elitën e futbollit të Italisë do të debutojë teknologjia gjysmautomatike e pozitës jashtë loje.

Ajo u përdor në Kupën e Botës dhe në fazën grupore të Ligës së Kampionëve.

Serie A do të bëhet liga e parë që e shfrytëzon këtë teknologji.