Xhiroja e 25-të e Serie A do të ofrojë ndeshje shumë të forta. Dy prej ndeshjeve që do ta karakterizojnë këtë xhiro janë Inter – Juventus dhe Napoli – Roma.
Vëmendja kryesore do të jetë te ndeshja ndërmjet “Nerazurrëve” dhe “Zonjës së Vjetër”, që do të luhet të shtunën nga ora 20:45.
Ky do të jetë takimi i dytë i edicionit midis dy skuadrave të rëndësishme të futbollit italian. Derbin e parë e fitoi Juve me rezultatin 4:3, më 13 shtator të vitit të kaluar.
Interi është lider i tabelës me 58 pikë. Është prej skuadrave pretedente për ta fituar titullin e kampionit.
Juve ka 46 pikë në vendin e katërt.
Ky do të jetë derbi i 255-të mes dy skuadrave të mëdha italiane.
Interi në këtë ndeshje hyn pas një serie prej 12 ndeshjeve pa humbje në Serie A. Ka 11 fitore dhe një barazim. Që prej nëntorit Interi kryeson pesë ligat kryesore evropiane si për nga numri i fitoreve, 11-të, ashtu edhe për ndeshjet pa pësuar gol, tetë.
Interi ka edhe sulmin më të mirë këtë edicion në kampionatin italian me 57 gola të shënuar.
Është i pamposhtur në 25 nga 28 ndeshjet e fundit në shtëpi në Serie A.
Juve ka vetëm një fitore në katër ndeshjet e fundit në të gjitha garat.
“Zonja e Vjetër” e ka sulmin e dytë më të mirë në elitë, me 41 gola të realizuar.
Që kur Luciano Spalletti mori drejtimin e ekipit, Weston McKennie, ka qenë golashënuesi më i mirë i Juventusit në të gjitha garat me shtatë gola të shënuar.
Ndërkohë në fundjavë është edhe derbi tjetër ndërmjet Napolit dhe Romës.
Kjo ndeshje luhet të dielën nga ora 20:45.
Napoli e zë vendin e tretë me 49 pikë. Roma ka tri pikë më pak në pozitën e pestë.
Napolitanët janë kampionë në fuqi të Italisë. Por këtë edicion janë nëntë pikë prapa liderit, Interit.
Skuadra që drejtohet nga trajneri Antonio Conte, Napoli, ka pasur shumë probleme me lëndime të futbollistëve. Disa prej futbollistëve kryesorë kanë munguar për disa javë për shkak të lëndimeve të ndryshme.
Napoli ka tri humbje në pesë ndeshjet e fundit. Të martën u eliminua edhe nga Kupa e Italisë.