Skuadra e Bayern Munichut po e ka të vështirë të gjejë përforcime për sezonin 2021/22, për shkak të ngadalësimit aktual ekonomik të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Këtë e ka pranuar trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann.
“Ne nuk mund t'i shpenzojmë të gjitha paratë që do të donim të shpenzonim”, tha Nagelsmann të hënën. “Në fund ne kemi një skuadër të mirë, por gjithmonë bëhet fjalë për dëmtimet”.
Trajneri i Bayernit iu referua dëmtimit të kyçit të këmbës së mbrojtësit të djathtë francez Benjamin Pavardit, i cili nënkuptoi se lojtari rezervë Josip Stanishiq luajti në ndeshjen hapëse të Bundesligës kundër Borussia Moechengladbachut, të premten. Në këtë takim Bayerni barazoi 1:1.
Krahas Pavardit, bavarezëve për shkak të lëndimit i munguan edhe Alphonso Davies e Lucas Hernandez.
“Josipi bëri një lojë të mirë, por nuk ishte lehtë për të. Ishte vetëm ndeshja e tij e dytë në Bundesligë dhe ndaj një kundërshtari shumë të fortë”, tha Nagelsmann për paraqitjen e 21-vjeçarit Stanishiq.
David Alaba, Jerome Boateng, Douglas Costa dhe Javi Martinez ishin në mesin e lojtarëve që u larguan nga skuadra e Bayernit gjatë kësaj vere. Ndërsa klubit iu bashkuan vetëm Dayot Upamecano e Omar Richards.
Nagelsmann e mori drejtimin e Bayernit para fillimit të këtij edicioni duke e zëvendësuar në postin e trajnerit Hansi Flickun, i cili tashmë është në krye të Përfaqësueses së Gjermanisë.
Edhe
Bayerni ende pa fitore këtë vit dhe në kërkim të përgjigjeve
“Nëse i shikoni dy sezonet e fundit, atëherë është e qartë që kemi humbur shumë lojtarë. Nuk është lehtë të gjejmë përforcime, ndonëse gjithmonë mundohemi të gjejmë lojtarë cilësorë. Tregu i transferimeve është shumë i vështirë për shkak se nuk po mund të shpenzojmë shumë para”, ka pranuar Nagelsmann. “Për këtë arsye Bayerni po e ka të vështirë të forcohet gjatë këtij afati kalimtar të verës. Do të jetë një sezon i vështirë, por jam optimist”.
Me gjithë që pandemia nuk i lejoi tifozët të ishin të pranishëm në tribuna për t’i përcjellë ndeshjet e sezonit të kaluar, Bayerni regjistroi një fitim prej 17 milionë eurosh për edicionin 2019/20. Skuadra bavareze të martën mbrëma përballet me Borussia Dortmundin në kuadër të Superkupës së Gjermanisë.
“Do të ishte mirë ta fitoja trofeun e parë me Bayernin. Do të bëjmë të pamundurën për ta fituar Superkupën”, paralajmëroi Nagelsmann për të cilin do të ishte edhe trofeu i parë si trajner.