Sport

Me Neuerin e lënduar, Bayernit i mbetet pak kohë për të gjetur portier të ri

Trajneri i Bayern Munichut, Julian Nagelsmann, dëshiron me çdo kusht një portier të ri përpara se sezoni i Bundesligës të vazhdojë javën e ardhshme. Bayerni ka kërkuar alternativa për të lënduarin Manuel Neuer, i cili theu këmbën në një aksident me ski muajin e kaluar. Por kërkimet e klubit nuk kanë dhënë rezultate deri më tani.

“Është e pritshme mënyra se si po shkojnë gjërat”, tha Nagelsmann të enjten. “Asnjë klubi nuk i pëlqen të dhurojë portierin e tij. Situata e tregut është e komplikuar, sepse edhe klubet e tjera po kërkojnë lojtarë të pozitave të caktuara”.

Neuer do të jetë jashtë për pjesën tjetër të këtij sezoni. Portieri ikonik kishte pësuar frakturë në këmbë. Kishte spekulime se karriera e portierit 36-vjeçar gjerman është e kërcënuar, pas një raportimi nga tabloidi “Bild” se lëndimi ishte më i rëndë. Megjithatë, revista “Kicker” raportoi se Neuer tashmë po punon për rikthimin e tij dhe synon të kthehet në kohë për kampionatin e ardhshëm.

“Ne jemi të detyruar të transferojmë një portier të ri”, tha Nagelsmann kur foli për pjesën tjetër të këtij sezoni. “Ose një portier të ri që do të jetë numri një ose një portier rezervë për Sven Ulreichun, që është i dyti pas Neuerit”.

Ulreich pritet ta zëvendësojë Neuerin kur liga të vazhdojë me vizitën e Bayernit në Leipzig më 20 janar. Por Nagelsmann ka mungesë opsionesh nëse i ndodh diçka Ulreichut me kalimin e ndeshjeve.

“Ne kemi lojtarë shumë të rinj”, tha Nagelsmann për zëvendësuesit e mundshëm të Ulreichit. “Nëse Ulle do të lëndohej, është një situatë komplekse për një lojtar të ri që nuk ka luajtur asnjë minutë futboll profesionist të qëndrojë mes shtyllave për gjysmën e dytë të sezonit në të cilin gjithçka është në rrezik”.

Bayerni kishte identifikuar zviceranin Yann Sommer të Borussia Moenchengladbachut si një opsion për ta transferuar këtë muaj. Mirëpo Gladbachu ka përjashtuar automatikisht largimin e Sommerit dhe ka refuzuar ofertën e Bayernit prej pesë milionë eurosh. Në fakt, Gladbachu po kërkon dhjetë milionë euro për një portier i cili në fund të sezonit do të mbetet i lirë.

“Është një çështje shumë e ndërlikuar dhe vështirë të realizohet”, pranoi Nagelsmann.

Bayerni ishte gjithashtu në kontakt me klubin francez Monaco për kthimin e Alexander Neubelit. Por Monaco nuk ishte i gatshëm për ta lënë portierin 26-vjeçar të largohej në mes të sezonit dhe Neubel hezitoi të përballej me një tjetër sfidë të mundshme për vendin e titullarit kur të kthehej Neueri.

Neubel u largua nga Bayerni për shkak të mungesës së minutazhës dhe është i huazuar tek ekipi francez, ku është stabilizuar si numri një. Portieri i Eintracht Frankfurtit, Kevin Trapp, ishte një tjetër kandidat për t’iu bashkuar Bayernit, gjë të cilën e pati konfirmuar edhe drejtori sportiv Hasan Salihamixhiq. Megjithatë, ishte i menjëhershëm reagimi i Frankfurtit duke bërë me dije se Trapp është i paprekshëm.

“Nuk e di dhe nuk jam i sigurt se çfarë do të bëjmë. Ne duhet patjetër të gjejmë një portier, ndërsa koha po na mbaron. Shpresojmë të bëjmë një zgjidhje për shkak se mund të dështojmë këtë sezon shkaku i mungesës së portierit”, insistoi Nagelsmann.

Pas 15 ndeshjesh të zhvilluara, Bayerni kryeson Bundesligën me 34 pikë të mbledhura, katër më shumë se Freiburgu, që renditet i dyti. Skuadra bavareze këtë edicion po synon titullin e 11-të rresht për të vendosur një rekord të ri në futbollin gjerman.