Tifozët janë kthyer në tribuna, por pyetja themelore mbetet e njëjtë pasi sezoni 2021/22 i Bundesligës fillon të premten. Kush mund ta ndalë Bayern Munichun? Fuqia bavareze ka fituar nëntë tituj të kampionit rresht në ligë dhe duket se po synon ta përfundojë një dekadë dominimi.
“Ndjekja është duke vazhduar. Ekipi e di që të tjerët nuk kanë interes të madh të na shohin në krye të tabelës për edicionin e dhjetë rresht. Ata do të bëjnë gjithçka që munden për të na rrëzuar”, tha kryetari i Bayernit, Oliver Kahn, i cili nuk pret që kundërshtarët të jenë të suksesshëm në sezonin e ri.
“Nëse e shfrytëzojmë potencialin tonë, do të jemi përsëri kampionë. Ekipi ka treguar se është gjithmonë i aftë të tejkalojë veten”.
Rivali më i afërt i sezonit të shkuar, Leipzigu, përfundoi 13 pikë prapa Bayernit sezonin e kaluar, ndërsa Borussia Dortmundi ishte 13 pikë prapa bavarezëve në sezonin 2019/20. Është e vështirë të shohësh që Dortmundi apo Leipzigu do të mund ta sfidojnë Bayernin në sezonin e ri, ndërsa Borussia Moenchengladbachu, Bayer Leverkuseni, Eintracht Frankfurti dhe Wolfsburgu do të duhet të adresojnë mospërputhjet e tyre para se të hyjnë në garë për tri vendet e para. Të gjitha ekipet kanë trajnerë të rinj në krye për sezonin 2021/22. Mbështetësit janë gjithashtu një risi, pasi një numër i kufizuar lejohet të kthehet në stadiume pas një sezoni në të cilin ata u përjashtuan kryesisht për shkak të pandemisë së koronavirusit. Fundjava e hapjes do të jetë pa zë të lartë, pasi deri në 25.000 spektatorë lejohen në disa stadiume. Stadiumet më të vegjël mund të kenë kapacitet deri në 50 për qind. Shkalla e infeksioneve të reja të COVID-19 në Gjermani - e cila është rritur përsëri javët e fundit - do të përcaktojë numrin e spektatorëve ndërsa sezoni vazhdon. Skuadra e Koelnit, tashmë ka forcuar rregullat. Tifozët me të paktën një rezultat negativ të testit mund të marrin pjesë në ndeshjen hapëse të sezonit kundër Hertha Berlin të dielën, por për përballjet e ardhshme mund të marrin pjesë vetëm tifozët e vaksinuar plotësisht ose ata që janë shëruar nga COVID-19. Bayern fillon sezonin, ku synon titullin e dhjetë kundër Moenchengladbachut të premten. Kampioni në fuqi i Gjermanisë ka një trajner të ri, Julian Nagelsmann, i “vjedhur” nga Leipzigu për të zëvendësuar Hansi Flickun, i cili shkëputi kontratën e tij për të marrë drejtimin e Përfaqësueses së Gjermanisë. 34-vjeçari Nagelsmann gëzoi sukses të madh me Hoffenheimin para se të konfirmohej si trajner i suksesshëm te Leipzigu, ekip që e çoi në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në sezonin e tij të parë, para se ta dërgonte në finalen e Kupës së Gjermanisë dhe pozitën e dytë në Bundesligë në sezonin e dytë. Mbrojtësi francez Dayot Upamecano, gjithashtu u transferua nga Leipzigu te Bayerni, pasi skuadra bavareze pagoi 42.5 milionë euro dëmshpërblim për kartonin e 22-vjeçarit. Bayerni, gjithashtu transferoi edhe mbrojtësin anglez Omar Richards si lojtar të lirë nga Readingu i kategorisë së dytë, por përndryshe si klubi më i pasur i Gjermanisë kishte një aktivitet të qetë në tregun e transferimeve. David Alaba, Douglas Costa, Javi Martinez dhe Jerome Boateng janë larguar të gjithë nga klubi, ndërsa portieri Alexander Nuebel u huazua te Monaco. Presidenti Kahn tha se pandemia kishte një efekt negativ në financat e klubit.
“Pandemia ka ndikuar shumë edhe në planet tona sa i përket afatit kalimtar. Por, besoj që jemi të kompletuar si ekip për të arritur synimin”, tha ai.
Trajneri amerikan Jesse Marsch ka zëvendësuar Nagelsmannin te Leipzig, duke ardhur nga klubi simotër Red Bull Salzburgu dhe duke vazhduar rrugën e transferimeve mes klubeve të mbështetura nga prodhuesi i pijeve energjike. Marsch duket se do të përfitojë nga rikthimi i Dominik Szoboszlait nga lëndimi, pasi sulmuesi hungarez shënoi në fitoren 4:0 kundër Sandhausenit në Kupën e Gjermanisë të shtunën e shkuar. Szoboszlai iu bashkua Leipzigut nga Salzburgu në janar. Leipzigu, gjithashtu transferoi sulmuesin portugez Andre Silva nga rivali i Bundesligës, Eintracht Frankfurti, që do të thotë se golat nuk duhet të jenë problem për ekipin e trajnerit Marsch. Silva në sezonin e shkuar shënoi 28 gola në 32 ndeshje të Bundesligës. Borussia Dortmundi, gjithashtu ka një fytyrë të re në krye. Në sezonin e ri do të udhëhiqet nga ish-trajneri i Moenchengladbachut, Marco Rose, i cili do të duhet të bëjë pa yllin anglez Jadon Sancho, i cili u transferua te Manchester Unitedi.
Por Dortmundi ka ende Erling Haalandin dhe do të bëjë gjithçka për të mbajtur sulmuesin norvegjez për të paktën edhe një vit tjetër. Haaland filloi sezonin me një “hat-trick” në Kupën Gjermane vikendin e shkuar. Ndërkohë, ekipet e mëdha të Gjermanisë, Werder Bremeni dhe Schalke nuk do të jenë pjesë e Bundesligës në sezonin 2021/22, duke zvogëluar numrin e emrave të mëdhenj që konkurrojnë në divizionin e lartë. Bochumi dhe Greuther Fuerthi, që janë kthyer në elitë, do të shpresojnë të shfrytëzojnë sa më shumë kohën e tyre në qendër të vëmendjes.