Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Nadal eliminohet nga Australian Open në rundin e dytë

Tenisti spanjoll Rafael Nadal u eliminua nga Grand Slami i parë këtë sezon - Australian Open, pasi humbi me tenistin e 65-të në botë, amerikanin Mackenzie McDonald, me rezultat 3:0 në sete.

Pas gati dy orë e gjysmë lojë, Nadal humbi 3:0 në sete, dhe shkaku kryesor ishte një dëmtim në setin e dytë, pas të cilit nuk mundi të rikuperohej plotësisht në këtë ndeshje.

Setin e parë tenisti numër dy në botë e humbi me rezultat 6:4, pas 47 minutash lojë, ndërsa në të dytin nuk festoi më dhe pësoi disfatë pas 56 minutash lojë, po ashtu me rezultat 6:4.

Në të tretën, që përfundimisht do të rezultonte seti vendimtar, McDonald fitoi 7:5 dhe kaloi në rundin e tretë të Australian Open.

Fituesi i vitit të kaluar u eliminua nga Australian Open, ndërsa iu hap rrugë Novak Gjokovqit drejt titullit të dhjetë në Australi.