Reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut, qendërmbrojtësi Visar Musliu është transferuar te skuadra e Ingolstadtit që bën gara në Bundesligën 2. Musliu të mërkurën është zyrtarizuar te ekipi gjerman, të cilit iu bashkua nga Fehervari i Hungarisë.
Detajet tjera të marrëveshjes ndërmjet dy skuadrave nuk janë bërë të ditura. Te Ingolstadti e kanë vlerësuar lart Musliun, të cilin e konsiderojnë si përforcim të rëndësishëm për repartin e mbrojtjes.
“Jemi të lumtur që Visari me përvojën e tij do të jetë pjesë e ekipit tonë. Ai është një mbrojtës shumë i mirë dhe me të do të jemi më të fortë në këtë repart. Ka qenë i rregullt dhe ka luajtur shumë ndeshje vitet e fundit si në kampionatin hungarez ashtu edhe te Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut”, ka thënë trajneri i Ingolstadtit, Malte Metzelder.
Musliu në pjesën e parë të këtij edicioni ka regjistruar dhjetë paraqitje te Fehervari, ekip që iu bashkua në vitin 2019 nga Shkëndija e Tetovës. 27-vjeçari ka 40 paraqitje dhe një gol të shënuar me Maqedoninë e Veriut, si dhe luajti në Kampionatin Evropian të mbajtur verën e shkuar. Ai ka thënë se me padurim po pret të luajë me fanellën e ekipit të ri.
“Jam shumë i gëzuar që kam firmosur me Ingolstadtin. Për mua është diçka e veçantë që të luajë në Gjermani”, tha Musliu ndër të tjera.
Aktualisht, Ingolstadti zë vendin e fundit në Bundesligën 2 me dhjetë pikë të mbledhura pas 19 ndeshjeve të luajtura këtë edicion.