Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Muslija kthehet në Bundesligë, tani i gatshëm për të shpërthyer

Florent Muslija ka bërë hap të rëndësishëm në karrierë. Të mërkurën ai ka kompletuar kalimin nga Paderboni i Bundesliga 2 në Freiburg të Bundesliga 1 të Gjermanisë. Sipas “Kicker”, Muslija është transferuar për 1 milion euro.

Reprezentuesi i Kosovës edhe më herët ishte në elitën gjermane. Por nuk ishte i gatshëm për të shpërthyer. Tani vlerësohet se është gati. Ai ka luajtur me shumë sukses në Bundesliga 2 dhe ka bërë hapin para.

“Florenti është sulmues i gjithanshëm që mund të luajë në krahë dhe në qendër. Ai ka luajtur vazhdimisht në nivel të lartë në divizionin e dytë. Këtë e ka bërë për kohë të gjatë dhe është gati për hapin e radhës”, ka thënë drejtori sportiv i Freiburgut, Jochen Saier.

“Florenti është lojtar i talentuar. Mund të nisë aksionet dhe po ashtu të shënojë gola. Ne jemi shumë të lumtur që ai ishte i përkushtuar të na bashkohej dhe që është realizuar transferi”, ka shtuar drejtori sportiv i Freiburgut.

Muslija ishte te Paderborni prej fillimit të vitit 2022. Ka luajtur 70 ndeshje në Bundesliga 2 dhe kishte 25 gola e 14 asistime. Pasi kishte kontratë vetëm deri në verë te Paderborni kanë vendosur ta lirojnë atë për vetëm 1 milion euro. Në verë Muslija do të largohej pa dëmshpërblim.

I lindur në Achern, Muslija është zhvilluar te skuadrat Sasbach e Karlsruhe. Prej vitit 2018 deri në fillim të vitit 2022 ishte te Hannoveri.

Në edicionin 2018/19 i luajti 17 ndeshje në Bundesligë dhe i realizoi dy gola. Por nuk e kishte fituar asnjërën ndeshje. Me të në përbërje, Hannoveri i kishte tri barazime e 14 humbje. 17 ndeshje pa fitore në Bundesligë i ka vetëm edhe talenti i Mainzit, shqiptari Brajan Gruda. Këtë të dhënë e ka paraqitur “Kicker”.

Tani Muslija kthehet në Bundesligë si lojtar i pjekur dhe në formë. Dhe natyrisht me shpresë se fitorja e parë do të vijë shpejt.

Këtë edicion ka realizuar shtatë gola e katër asistime në 16 paraqitje në kategorinë e dytë gjermane. Në tri ndeshje për kupë i kishte dy gola e dy asistime. Në Bundesliga 2 gjithsej i ka 125 ndeshje, 30 gola e 13 asistime.

“Në vjeshtë isha në gjendje të përjetoja atmosferën madhështore në ‘Europa-Park Stadium’, gjatë ndeshjes për Kupë. Tani po shikoj para që të njoh bashkëlojtarët, të zhvillohem këtu dhe të jap çdo gjë për klubin”, ka thënë Muslija, që do ta mbajë fanellën me numër 23.

Freiburgu në edicionin e kaluar përfundoi i pesti në Bundesligë. Aktualisht është i shtati dhe në garë për të siguruar sërish daljen në Evropë. Aktualisht është në fazën e plejofit në Ligën e Evropës. Do të përballet me Lensin francez më 15 dhe 22 shkurt.

Kalimi në Bundesligë pritet ta shtyjë para karrierën e Muslijës edhe te Kosova. Ai deri më tani ka 23 ndeshje e një gol me “Dardanët”. Ka luajtur më parë për U20 të Gjermanisë.

Artikuj të ngjashëm