Vedat Muriqi ka dhënë kontributin e tij në barazimin 1:1 të Lazios në udhëtim te Torino. Muriqi siguroi penalltinë përmes të cilës Lazio shënoi golin e barazimit, të enjten në ndeshjen e xhiros së pesë të Serie A.
Në katër ndeshje deri më tani, sulmuesi i Kosovës ka luajtur zëvendësues.
“Torino ka luajtur shumë agresiv, por ne e kemi ditur se na pret ndeshje e vështirë. Ne kemi merituar pikën e fituar në minutën e fundit. Jemi të lumtur pasi një pikë është më mirë se asgjë. Tani e kthejmë kokën kah derbi. Duhet të rikuperojmë energjinë, por ne po punojmë mirë në këtë drejtim. Jemi të fokusuar për ndeshjen me Romën”, ka thënë Muriqi pas ndeshjes për Lazio Style Radio.
Ai ka treguar pse nuk po shfrytëzohet shumë nga skuadra.
“Si ekip ne nuk duam të luajmë me topa të lartë dhe unë po mundohem të ndihmoj bashkëlojtarët edhe duke luajtur pesë apo dhjetë minuta, pasi dua të jap çdo gjë për këtë ekip. Lazio është ekip që nuk mund të jetë i lumtur për një pikë”, ka thënë Muriqi, që është në pritje të golit të parë të edicionit.