Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar e kompletuar përgatitjet për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji. Stërvitjen e së martës të përzgjedhurit e selektorit Alain Giresse e kanë zhvilluar në Kampin Nacional në Hajvali.
Për herë të parë me përfaqësuese është grumbulluar mbrojtësi i Ballkanit, Lumbardh Dellova. Dellova është përfshirë në ekipin e Kosovës pas lëndimit të Emir Sahitit.
Kosova të enjten luan në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ndeshjen miqësore kundër Burkina Fasos, ndërsa më 29 mars në Zuerich luan kundër Zvicrës.
Përfaqësuesja stërvitjen e parë e zhvilloi në stadiumin “Fadil Vokrri” të hënën, ku munguan shumë futbollistë për shkak të angazhimeve në fundjavë me skuadrat e tyre. Ishin vetëm 13 futbollistë në stërvitjen e parë, ndërsa në të dytën përfaqësuesja ishte e kompletuar.
Stërvitja e së martës nisi me ngrohje. Selektori Giresse fillimisht pati një bisedë të shkurtër me stafin e tij. Ai pasi mbajti një fjalim për futbollistët, lëvizte nëpër fushë i vetëm.
Giresse të hënën në konferencë tha se dy miqësoret e këtij muaji do t’i shërbejnë për ta parë nga afër ekipin dhe për t’u përgatitur sa më mirë për edicionin e ri të Ligës së Kombeve që nis në muajin qershor.
Ndërkohë dy prej lojtarëve më në formë të Kosovës, Vedat Muriqi e Elbasan Rashani, kanë thënë se duhet të përfitojnë nga momenti i mirë i lojtarëve.
“Jemi duke vazhduar me punën tonë dhe do të japim maksimumin si gjithmonë. Edhe pse nuk e njohim Burkina Fason, pak a shumë kemi filluar ta njohim dhe t’i shohim pikat e tyre të dobëta dhe me forcën tonë besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv. Shpresoj ta përdorim këtë periudhë të mirë. Kur kemi pasur serinë pozitive prej 13 ndeshjeve pa humbje, kemi qenë sikur tash të gjithë në formë dhe shpresoj ta përdorim këtë moment të mirë dhe të arrijmë rezultate të mira”, ka theksuar Vedat Muriqi, sulmuesi i Mallorcas. Ai ka folur edhe për selektorin Giresse.
“Ne jemi futbollistë profesionistë dhe duhet të zbatojmë teknikën dhe taktikën e tij. I urojmë mirëseardhje atij dhe shpresojmë që të kemi rezultate të mira së bashku me të”.
Elbasan Rashani po shkëlqen në Francë dhe pritet të jetë lojtar i rëndësishëm për selektorin francez.
“Po duket që krejt lojtarët janë në formë të mirë. Presim dy ndeshje të vështira, por presim lojë të mirë. Këto dy ndeshje janë të rëndësishme për atë që na pret verës në Ligën e Kombeve. Burkina Faso është shumë e fortë. Kanë arritur në gjysmëfinale të Kupës së Afrikës dhe kanë lojtarë mjaft të mirë dhe normalisht se duhet pasur kujdes. Në këtë nivel nuk ka ndeshje të lehta. Jemi njoftuar tani me trajnerin e ri dhe duket se ka filozofi të mirë për ekipin tonë“, ka theksuar Rashani.