Trajneri Jose Mourinho është nën presion te Roma pas barazimit 2:2 ndaj Bodo/Glimtit të enjten mbrëma në kuadër të Ligës së Konferencës. Ai pas ndeshjes është vërshëllyer nga tifozët e Romës, ndërsa mediumet italiane kanë shkruar të premten se drejtuesit e klubit tashmë kanë filluar të mendojnë për pasardhësin e tij.
Në dy ndeshjet kundër ekipit norvegjez, Roma mori vetëm një pikë ndërsa në Serie A këtë sezon, Mourinho i ka humbur katër ndeshje.
“Tifozët e Romës kanë filluar ta humbin durimin me Mourinhon dhe barazimi i fundit ndaj Bodos nuk është pritur mirë as nga drejtuesit e ekipit”, ka shkruar “Gazzetta dello Sport”.
Mourinho mori drejtimin e Romës para fillimit të këtij edicioni dhe ka kontratë me ekipin italian deri në verën e vitit 2024. Në Serie A, Roma është e katërta në tabelë me 19 pikë të mbledhura, 12 më pak se Napoli që është lider.