Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Mourinho i frikësohet largimit të Fellainit

Menaxheri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho ka thënë se është i pafuqishëm për të parandaluar largimin e Marouane Fellainit nga Old Traffordi, përkundër dëshirës për qëndrim të mesfushorit.

Fellainit i ka mbetur vetëm edhe një vit e gjysmë kontratë dhe mediat britanike kanë raportuar se belgu është duke menduar për të ardhmen e tij.

Interesim për të kanë shprehur Paris Saint-Germaini, Galatasarat dhe Beshiktashi, por Mourinho shpreson se bordi i klubit do të arrijë marrëveshje me lojtarin.

“Nuk ka asgjë. Janë bisedime mes lojtarit dhe bordit. Nuk jam i përfshirë në kontrata dhe marrëveshje. Respektoj dy palët, respektoj lojtarin sepse ka të drejtë të vendos për të ardhmen e tij ose nëse përfundon kontratën”, ka thënë Mourinho.

“Dhe respektoj bordin, sepse vendimet dhe bisedimet janë në kontrollin e tyre, unë vetëm pres, duke dëshiruar se do të kuptohen”.