Sport

Motrat Hajdari ia shtojnë cilësinë Kosovës

Foto: Ilustrim

Prishtinë, nëntor – Janë bashkuar pa shumë bujë, por menjëherë janë imponuar si lojtare shumë të rëndësishme për përfaqësuesen e Kosovës në hendboll. Bëhet fjalë për motrat Marigona e Arlinda Hajdari, që janë me prejardhje nga Vushtrria, por të lindura e të rritura në Danimarkë, shkruan sot Koha Ditore.

Motrat Hajdari kanë luajtur në Turqi ndeshjet e para me Kosovën, në një turne ndërkombëtar të mbajtur në Antalya. Dhe vlerësimet e drejtuesve të Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe të shtabit teknik të përfaqësueses janë në superlativ për to.

Javë më parë Marigona, 20 vjeç, dhe Arlinda, 18 vjeç, janë pajisur me pasaporta të Kosovës dhe kështu e kanë fituar të drejtën të luajnë për përfaqësuese. Në fitoren e së shtunës së kaluar ndaj Italisë, dy lojtaret shënuan nga dy gola. Nga dy gola i realizuan edhe në fitoren ndaj Turqisë B. Në humbjen nga Turqia A, Marigona vazhdoi me dygolësh, derisa Arlinda shënoi katër gola. Dhe të hënën në ndeshjen përfundimtare ndaj Maqedonisë Veriore, Marigona shënoi një gol, kurse Arlinda tre gola.

Por në FHK vlerësojnë se motrat Hajdari kanë sjellë në përfaqësuese shumë më tepër sesa vetëm gola.

“Ishte kënaqësi të shohim motrat Hajdari duke luajtur me fanellë të Kosovës. Bëhet fjalë për lojtare të shkëlqyeshme. Lëvizja e topit prej tyre ishte në nivel shumë të lartë. Luajnë shpejt dhe nuk kishte top të humbur për to. Afrimi i tyre do të jetë fitore e madhe për ekipin e Kosovës”, ka thënë sekretari i përgjithshëm i FHK-së, Izet Gjinovci. Ai ka vlerësuar edhe qasjen e motrave ndaj ekipit përfaqësueses e po ashtu dashurinë për fanellën.

“Janë lojtare flori për ne”, ka shtuar zyrtari i FHK-së.

Fjalë të mira për dy lojtaret ka thënë edhe përzgjedhësi Agron Shabani.

“Ishte debutim për Marigonën dhe Arlindën me ekipin përfaqësues. Që në ndeshjen e parë me Italinë ato treguan një teknikë të rangut të lartë, lëvizje të kohës moderne të hendbollit. Ato i përshtaten shumë lojës që ne e synojmë në përfaqësuese. Pra janë të përshtatshme për lojë kolektive dhe të shpejtë, që edhe e synojmë ne. Bëhet fjalë për lojtare të së ardhmes”, ka thënë Shabani gjatë javës.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)