Marigona Hajdari ka shënuar vetëm tre gola, por e ka udhëhequr në mënyrë mjeshtërore Përfaqësuesen e Kosovës në hendboll drejt fitores së thellë ndaj Qipros me shifrat 30:21. Ndeshja e luajtur të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë i ka takuar grupit A të fazës së parë kualifikuese për “Euro 2022”.
Marigona Hajdari është shquar në këtë takim, ndërsa motra e saj, Arlinda, ishte më efikasja, duke realizuar 7 gola. Motrat Hajdari bëjnë karrierë në Danimarkë, njëjtë si Njoma Zogaj. Njoma debutoi në këtë takim për Kosovën dhe po ashtu kishte shtatë gola të shënuar.
Marigona i ka organizuar të gjitha aksionet e Kosovës, ka nxjerrë në pozita ideale bashkëlojtaret dhe ka kontribuuar edhe në mbrojtje. Është konfirmuar si lojtarja kryesore e Kosovës dhe si ardhje tepër cilësore.
Në të vërtetë, fitorja e Kosovës ndaj Qipros është pritur. Qipro për herë të parë paraqitet në kualifikime evropiane. Ndonëse në Kosovë ka udhëtuar për ta siguruar vendin e dytë në grup, cilësia që shfaqi ishte dukshëm më e vogël sesa ajo e Kosovës, që është përballur me mungesa të mëdha. Kosovës i kanë munguar Leonora Demaj, Albana Arifi, Kristina Ukaj, Shkurta Mehmeti, Sara e Rina Rexhepi, e disa të tjera. Në ditën e fundit jashtë kombinimit mbeti edhe Mirela Gjikokaj, ndërsa me një lëndim të lehtë u paraqit Marigona Hajdari.
Në pjesën e dytë të takimit, lëndim të gjurit pësoi Arlinda Hajdari dhe mbetet të shihet nëse do të jetë gati për ndeshjen e së premtes ndaj Luksemburgut, që zhvillohet prej orës 19:30.
Kosova ka fituar pas një kohe të gjatë, ndërsa triumfi bindës ndaj qipriotëve vlerësohet me shumë peshë para ndeshjeve më të vështira me Luksemburgun, e sidomos me Portugalinë. Ndeshja Kosova – Portugalia është të shtunën (19:30) dhe pritet të vendosë për vendin e parë në grup.
Portugalia të premten fitoi 38:14 ndaj Luksemburgut dhe llogaritet favorite për ta fituar grupin, sidomos pas mungesave të shumta te Kosova. Por, ndeshja e së enjtes jep shpresë.
“Në fillim e kemi pasur vështirë, por më pas jemi stabilizuar dhe kemi dominuar. Vajzat e dhanë maksimumin dhe luajtën edhe për hendbollisten e lënduar. Kemi bërë lojë të mirë, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm – jam i kënaqur”, ka thënë selektori i Kosovës, Agron Shabani.
Portierja dhe kapitenia Njomza Kelmendi ka vlerësuar se fitorja është shumë e rëndësishme.
“Mungesat e kanë bërë të veten, por jemi munduar të luajmë edhe për ato që kanë munguar. Tani na presin ndeshje më të vështira dhe shpresojmë të paraqitemi me sukses dhe të arrijmë fitore”, ka thënë Kelmendi, që ka bërë numër të madh pritjesh për ta ndihmuar fitoren e Kosovës.