Sport

Hendbollistet e Kosovës synojnë kualifikimin

Hendbollistet e Kosovës kanë një sfidë të madhe para vetes. Prej së enjtes deri të shtunën ato i luajnë ndeshjet e Grupit A të fazës së parë kualifikuese për “Euro 2022”.

Në Grupin A pos Kosovës bëjnë pjesë edhe Portugalia, Luksemburgu e Qiproja. Vetëm fituesi i grupit avancon tutje, ndërsa pretendente llogariten Portugalia dhe Kosova.

Ndeshjet do të luhen në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, ku hendbollistet e Kosovës janë përgatitur që nga java e kaluar. Në ditët e fundit grupi i lojtareve është kompletuar, ndërsa te hendbollistet dhe te shtabi teknik ka optimizëm të matur.

Derisa për Qipron dihet pak, forcën e Luksemburgut e dinë hendbollistet kosovare. Megjithatë, vendimtare pritet të jetë ndeshja ndaj Portugalisë.

Kosova të enjten (nesër) luan me Qipron, të premten me Luksemburgun, ndërsa ndeshja përmbyllëse është të shtunën ndaj Portugalisë. Të gjitha ndeshjet e Kosovës janë prej orës 19:30, ndërsa ndeshjet e tjera fillojnë prej orës 17:00.

Kapitenia e Kosovës, Njomza Kelmendi, është e kënaqur me punën që është bërë në përfaqësuese dhe me atmosferën në ekip.

“Jemi munduar të përgatitemi për këto tri ndeshje, por sigurisht se nuk do të jetë lehtë, pasi kemi shumë mungesa. Megjithatë, besoj se me punë dhe angazhim në këto ndeshje do t'ia dalim ta arrijmë maksimumin, t'i fitojmë këto takime. Ndeshja kundër Portugalisë do të jetë më e vështira për ne, por nuk do të thotë se jemi të dorëzuara. Do të mundohemi të gjithë ta mposhtim edhe Portugalinë dhe të kalojmë tutje”, ka thënë Kelmendi, që është po ashtu portierja e parë e Kosovës.

Te Kosova pritet të debutojë Njoma Zogaj, që vlerësohet hendbolliste cilësore. Ajo zhvillon karrierën në Danimarkë, njëjtë si motrat Marigona e Arlinda Hajdari. Lojtare të tjera, si Pashke Marku, janë kthyer në përfaqësuese. Por Kosovës i mungojnë lojtare të rëndësishme si Leonora Demaj, Albana Arifi, Kristina Ukaj, Shkurta Mehmeti, Sara e Rina Rexhepi e disa të tjera.

Përzgjedhësi Agron Shabani thotë se mungon thuajse një ekip i tërë.

“Kemi mungesa të mëdha, thuajse një shtatëshe për shkak të lëndimeve dhe gjërave personale të tyre, por kemi disa lojtare të reja, të cilat do të mundohemi t'i inkuadrojmë për të ardhmen. Punën që e kemi bërë me intensitet të lartë e që mendoj se e kemi bërë mirë do të mundohemi të nxjerrim në fushë rezultat sa më të mirë. Qipron nuk e njohim aq shumë, se është shtet që nuk e ka të zhvilluar hendbollin, por duhet t'i frikësohemi befasisë, ndërsa Luksemburgun e njoh mirë, pasi jetoj dhe punoj atje, derisa Portugalia është ekip konkurrent i yni, ndërsa ne me mungesa do të mundohemi të përballemi sa më shumë dhe sa më mirë”, ka theksuar Shabani.

Në të vërtetë në kohët e fundit ka pasur prurje të reja e cilësore te Kosova. Dhe, ndonëse sfidues, kualifikimi tutje kërkohet nga Kosova. Ajo më herët ishte në kualifikime të rregullta dhe kërkon që sërish të shkojë atje.

Pas një pushimi të gjatë për shkak të pandemisë, Kosova javë më parë luajti dy ndeshje kualifikuese për Botëror në Austri. Humbi nga Austria dhe Italia, duke mos ia dalë të vazhdojë tutje. Por paraqitja ishte vlerësuar pozitive nga Federata e Hendbollit e Kosovës.

Paraqitja pozitive nuk do të mjaftojë këtë herë.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, jemi munduar të përgatitemi në mënyrën sa më të mirë të mundshme dhe ta përfaqësojmë Kosovën ashtu siç e meriton. Kemi ndeshje të vështira, mirëpo jemi munduar të përgatitemi maksimalisht dhe synimi gjithsesi është kalimi tutje”, thotë Blerta Ahmetxhekaj, portierja tjetër e Kosovës.

Pas paraqitjeve pozitive të hendbollistëve, presioni është mbi hendbollistet e Kosovës për të bërë hapin tutje para. Të paktën të arrijnë në nivelin ku ishin më herët, ndonëse kishin pasur kundërshtare të nivelit dukshëm më të ulët.