Dy motra në një sport ofrojnë gjithnjë rrëfime interesante. Por kur bëhen tri motra në një sport atëherë bëhet fjalë për një tregim të rrallë.
Dy familje kosovare mund të mburren që i kanë nga tri lojtare të hendbollit. Madje, të dy familjet jetojnë në Danimarkë. Bëhet fjalë për familjen Hajdari dhe familjen Rexhepi.
Marigona, Arlinda dhe Blerta janë hendbollistet e familjes Hajdari. Dy të mëdhatë, Marigona e Arlinda, tashmë janë pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Madje, janë prej lojtareve kryesore.
Marigona është 22-vjeçare. Është organizatorja kryesore e lojës në përfaqësuesen e Kosovës. Shquhet për organizimin shembullor të lojës dhe asistimet që i bën. Anë të fortë e ka edhe çarjen e mbrojtjes me shpejtësinë që ka dhe golat e bukur. Ka disa vjet që luan për skuadrën Ringkobing, që bën gara në elitën daneze.
Danimarka është prej vendeve me hendbollin më të zhvilluar në botë. Dhe të luash në elitën e Danimarkës është dëshmi për nivelin si hendbolliste. Marigona po paraqitet me shumë sukses për Ringkobingun, që sivjet u promovua në elitë.
Pjesë e Kosovës dhe e Ringkobingut është edhe Arlinda Hajdari. Arlinda është 20-vjeçare dhe luan në pozitën e bekut të djathtë. Në qershor, derisa po luante për Kosovën ndaj Qipros, Arlinda pësoi lëndim të rëndë të gjurit. Tashmë është operuar dhe është në fazë rikuperimi. Pritet të kthehet vetëm në edicionin 2022/2023. Në Danimarkë lojtaret e hendbollit nuk lejohen të kthehen në terren pa kaluar një vit nga operimi.

Ndërkohë, Blerta Hajdari është në fazë të hershme të karrierës. Dëshirë e saj është të luajë për Kosovën. Dhe mundësisht me motrat më të mëdha, Marigonën e Arlindën.
Dy motrat Hajdari janë ende në fillim të karrierës te Kosova. Dhe nuk përjashtohet mundësia që një ditë tri motrat Hajdari të jenë në përbërje të Kosovës.
“Është ndjenjë e mirë që të tri motrat luajmë hendboll. Motrën e vogël nuk na bie shpesh ta shohim duke luajtur. Blerta ka dëshirë që të tri motrat të luajmë në të ardhmen në një ekip. Sidomos për Kosovën dhe ndoshta kjo do të realizohet ndonjëherë”, ka theksuar Marigona Hajdari për KOHËN.
Blerta është 13-vjeçare, ndërsa me hendboll ka nisur si 8-vjeçare. Natyrisht e frymëzuar nga motrat. Ajo luan bek i majtë. Pra, vija fundore e Kosovës në të ardhmen ka gjasë të mbulohet nga motrat Hajdari.
Blerta po zhvillohet te skuadra Tarm Foersum GF, ku karrierën e kanë filluar edhe Marigona e Arlinda.
Marigona tregon se në shtëpi tema kryesore ka qenë gjithnjë shkollimi. Por çdo ditë në familjen Hajdari flitet edhe për hendbollin. Motrat Hajdari ndihen krenare që luajnë për Kosovën, ndërsa kanë përkrahje të plotë edhe nga prindërit.
“Jemi shumë krenare që luajmë për Kosovën. Si sportiste është e veçantë të prezantosh shtetin tënd. Është privilegj. Ndërkohë në Danimarkë unë e Arlinda jemi në Superligë. Liga është shumë cilësore, kështu që jemi të kënaqura”, shton Marigona Hajdari.
Shumë më herët për Kosovën kanë luajtur Sara e Rina Rexhepi. Por ato kanë pasur një shkëputje nga përfaqësuesja. Në FHK presin që dy motrat Rexhepi të jenë në dispozicion për ndeshjet e ardhshme.
Sara është 21-vjeçare, ndërsa Rina 20-vjeçare. Edhe ato luajnë në pozita fundore. Sara është bek i majtë, ndërsa Rina luan kryesisht qendër. Sara e Rina janë aktualisht pjesë e skuadrës së kategorisë së dytë daneze, AGF Handbold.
Rina është golashënuesja më e mirë e skuadrës me 44 gola në 11 ndeshje. 35 gola i ka Sara, që është golashënuesja e tretë më e mirë.
Verona është e vogla e motrave Rexhepi. Ajo vlerësohet me potencial të madh. Është vlerësuar edhe kandidate për të luajtur për të rejat e Danimarkës. Është 17-vjeçare. Është pjesë e skuadrës Skanderborg.
Edhe Verona ka kaluar një lëndim të rëndë. Ishte jashtë hendbollit për 14 muaj. Por është kthyer me sukses të plotë.
Tri motrat Rexhepi kanë nisur në të njëjtën skuadër, Fredricia.
“Sara e Rina kanë luajtur mirë këtë kampionat, por munden edhe më shumë. Ndërkohë Verona nga trajnerët këtu vlerësohet me shumë potencial”, ka thënë babai i tri hendbollisteve, Sabit Rexhepi.
Motrat Rexhepi, ashtu si motrat Hajdari, rëndësi i kushtojnë edhe shkollimit. Por sistemi në Danimarkë, që vlerësohet shumë i avancuar, u mundëson që pos shkollimit të bëjnë edhe karrierë sportive. Madje të jenë edhe në nivel për të përfaqësuar shtetin.
Prej punës që bëhet në Danimarkë dhe sistemit që ekziston atje, po përfiton edhe përfaqësuesja e Kosovës.
Në Danimarkë luan edhe kapitenia e Kosovës, Leonora Demaj. Edhe ajo është te Ringkobingu. Ndërsa Njoma Zogaj, një tjetër reprezentuese, bën karrierë në kategorinë e dytë. Vëllai i Njomës, Shabani, tashmë është pjesë e përfaqësueses së Kosovës. Vlerësohet me shumë potencial.