Sport

Motosporti bashkohet për ta luftuar abuzimin në internet

Organi drejtues i Motosportit (FIA) do të përpiqet të largojë gjuhën e urrejtjes dhe abuzimin në internet, duke bashkëpunuar me grupe të tjera të prekura. FIA tha se ka mbështetje nga Komisioni Evropian, organi drejtues i motoçiklizmit dhe PGMOL - organi përgjegjës për zyrtarët e ndeshjeve në futbollin profesionist anglez - për të trajtuar problemet.

FIA zbuloi strategjinë në një letër të publikuar të enjten që “përcakton qasjen e qëndrueshme dhe bashkëpunuese që FIA do të miratojë në përballjen me abuzimin në internet”, thuhet në deklaratë. Dokumenti i quajtur “Një përgjigje strategjike ndaj gjuhës së urrejtjes në internet në sport”, është mbështetur në ekspertizën e ekspertëve të industrisë dhe institucioneve qeveritare. Ai iu prezantua 241 klubeve anëtare të FIA-s dhe u nda gjithashtu në një Këshill Botëror të Sportit Motorik në Bahrejn të enjten, përpara garës hapëse të sezonit 2023 në Formula 1, të dielën. Në të gjithë Bashkimin Evropian, 80 për qind e njerëzve të anketuar kishin hasur në urrejtje në internet dhe 40 për qind e të anketuarve pohuan se ishin lënë të frikësuar ose të kërcënuar, thuhet në letrën e FIA-s. Pas përplasjes në fund të sezonit në garën për Çmimin e Madh të Abu Dabit në vitin 2021, piloti i F1, Nicholas Latifi, iu nënshtrua abuzimeve në internet dhe kërcënimeve me vdekje, saqë u detyrua të punësojë një truprojë për një udhëtim ditor në Londër. Aksidenti i Latifit çoi në futjen e makinës së sigurisë në shteg dhe drama më vonë pasoi. Max Verstappen parakaloi Lewis Hamiltonin në xhiron e fundit për të fituar titullin e botës në një nga momentet më të diskutueshme në historinë e F1.

Ish-drejtori i garave të F1, Michael Masi, i cili mori vendimin për të rifilluar garën dhe përfundimisht u largua nga FIA, u përball gjithashtu me një valë urrejtjeje dhe abuzimi.

“Ato fyerje ishin tronditëse. Racist, abuziv, i poshtër, më thërrisnin me çdo emër që mundeshin. Dhe kishte kërcënime edhe me vdekje. Njerëzit thoshin se do të vinin pas meje dhe familjes sime”, pati zbuluar Masi. “Dhe ata vazhduan të kërcënonin. Jo vetëm në ‘Facebookun’ tim, por edhe në ‘LinkedIn’ tim, i cili supozohet të jetë një platformë profesionale për biznesin. Ishte i njëjti lloj abuzimi”.

Grupi punues i FIA-s për abuzimin në internet ka siguruar mbështetje për qasjen strategjike nga Komisioni Evropian përmes një miratimi nga Mariya Gabriel, komisionarja Evropiane për Inovacionin, Kërkimin, Kulturën, Arsimin dhe Rininë. Drejtori menaxhues i PGMOL-it, Mike Riley, një ish-arbitër i Premier Leagues, mirëpriti veprimet e FIA-s.

“PGMOL është jashtëzakonisht mbështetës i hapave progresivë të ndërmarrë nga FIA në adresimin e çështjes së abuzimit në internet”, tha Riley. “Gjatë diskutimeve të fundit ne së bashku kemi identifikuar se sfidat e përbashkëta ndahen rreth abuzimit të zyrtarëve tanë”.

FIA tha gjithashtu se po zhvillonte diskutime eksploruese me presidentin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Thomas Bach dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. FIA po bashkëpunonte gjithashtu me ekspertë të inteligjencës artificiale për të zbuluar dhe reduktuar abuzimin në kanalet e saj.

“Me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe organeve të tjera drejtuese sportive, ne jemi të guximshëm për të sjellë ndryshime domethënëse”, tha presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem. “Urrejtja dhe abuzimi i qëndrueshëm në internet kanë arritur nivele të mjerueshme”.