Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Milevski: Italia është favorite, por edhe Maqedonia V. pyetet për kualifikimin

Maqedonia e Veriut e ka shortin më të vështirë të mundshëm në plejofin për kualifikim në Botërorin “Katari 2022”. Maqedonia V. fillimisht luan në gjysmëfinale të plejofit në udhëtim ndaj Italisë. Më pas, nëse eventualisht fiton, luan po në udhëtim me Portugalinë apo Turqinë.

Maqedonia V. ku paraqiten shumë futbollistë shqiptarë, është autsajdere e plejofit.

“Italia është kampione e Evropës. Kemi respekt të madh për kundërshtarin dhe trajnerin e tij. Italianët luajnë futboll krejt ndryshe, i bëjnë gjërat e vështira për të gjithë rivalët, tani për ne natyrisht. Por duhet të përshtatemi me sfidat. Maqedonia ka kualitetin, nuk është e rastit që jemi në plejof. Do të bëjmë më të mirën që të jemi garues në këtë ndeshje”, ka thënë Bobi Milevski, përzgjedhës i Maqedonisë V.

“Maqedonia ka treguar se pavarësisht nëse luan në shtëpi apo në udhëtim, mund të rivalizojë secilin kundërshtar. Natyrisht do të na mungojë përkrahja e shikuesve, por nuk mund të ndryshojmë rrethanat. Në futbollin e sotëm autsajderë ka vetëm në letër. Çdo gjë që ndodhë në fushë është tregim krejt tjetër. Italia është favorite, por ne fushë do të pyetemi edhe ne për rezultatin e ndeshjes. Kemi treguar gjatë kualifikimeve që kemi kualitet, njëjtë si të gjitha përfaqësueset që janë në plejof. Do të bëjmë më të mirën për të konfirmuar këtë”, ka shtuar selektori i Maqedonisë së Veriut.