Kampionia e Evropës në futboll, Italia, do ta kërkojë kualifikimin në Kampionatin Botëror “Katari 2022” përmes plejofit.
Të enjten në mbrëmje, Italia do të përballet me Maqedoninë e Veriut në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit.
Ky takim do të luhet në Palermo, vend në të cilin italianët kanë fituar në shtatë ndeshjet e fundit.
Përballja tjetër gjysmëfinale do të luhet në Portugali. Përfaqësuesja portugeze do të jetë nikoqire e Turqisë.
Për Cristiano Ronaldon mund të jetë hera e fundit që kërkon paraqitjen në Botëror me Portugalinë.
Fituesi i duelit, Itali-Maqedoni e Veriut, do të përballet në finale me fituesit e takimit, Portugali – Turqi. Kjo finale do të luhet më 29 mars.
Përfaqësuesja që fiton në finale kualifikohet në Botërorin e Katarit që mbahet në fund të këtij viti.
Nga zona e Evropës do të jenë tri përfaqësuese që do të shkojnë në Katar përmes plejofit.
Në gjysmëfinalen tjera, Suedia përballet me Çekinë, kurse Uellsi luan ndaj Austrisë. Fituesit nga këto dy ndeshje, përballen në ndeshjen finale për ta siguruar biletën për në "Katar 2022".
Direkt në finale të Rrugës B është kualifikuar Polonia, e cila nuk do ta luajë ndeshjen ndaj Rusisë për shkak se Rusia është pezulluar nga UEFA dhe FIFA për arsye te sulmeve ndaj Ukrainës.
Kurse dueli tjetër gjysmëfinal, Skoci – Ukrainë është shtyrë për në qershor për shkak të luftës në Ukrainë. Polonia e pret fituesin e ndeshjes Skoci - Ukrainës për ta diskutuar kualifikimin në "Katar 2022".
Të gjitha ndeshjet gjysmëfinale të plejofit nisin në orën 20:45.