Futboll

Italia synon kthimin në Kampionatin Botëror

Shorti

Foto: Associated Press

Italia u ndal nga Suedia dhe nuk arriti të marrë pjesë në Kupën e Botës 2018. Më pas ishte Maqedonia e Veriut që e ndali në vitin 2022. Tani është radha e Irlandës së Veriut. 

Katër herë fituesja e Kupës së Botës kthehet në plejofin e kualifikimeve për herën e tretë rresht dhe pas shortit të tërhequr të enjten, do të ketë rrugëtim të vështirë për t’u kthyer në skenën globale të futbollit pas 12 vjetësh pritjeje. 

Italia fillimisht do të jetë nikoqire e Irlandës së Veriut në ndeshjen me eliminim direkt më 26 mars, ndërsa fituesi do të udhëtojë për t’u përballur me Uellsin apo Bosnjë-Hercegovinën. Të gjitha këto përfaqësuese do të luftojnë për një vend në Botërorin me 48 përfaqësuese, që organizohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. 

Forma e Irlandës së Veriut është test paksa i ngjashëm me Maqedoninë e Veriut, që iu rezistoi sulmeve të pareshtura në Palermo në mars të vitit 2022, para se ta shtangte Italinë me një gol në kohën shtesë. 

“Do të ketë presion të madh tek Italia pasi nuk ishin pjesëmarrës në dy Botërorët e kaluar”, ka deklaruar selektori i Irlandës së Veriut, Michael O’Neill për “Associated Press”. “Ne jemi në situatë për të fituar shumë”. 

Përzgjedhësi i Italisë, Gennaro Gattuso, ekipi i të cilit u mposht 4:1 nga fituesi i grupit, Norvegjia, të dielën në Milano, nuk ka dashur të flasë për “AP”.

Degëzimi i plejofit evropian

Në tri degëzimet e tjera të plejofit evropian, Ukraina do të jetë nikoqire e Suedisë, ndërsa fituesja më pas luan në shtëpi ndaj Polonisë apo Shqipërisë. 

Ukraina i ka luajtur ndeshjet e kualifikimeve të rregullta në shtëpi në tri qytete të ndryshme të Polonisë, ndërsa shteti që është nën pushtimin e Rusisë, mund të luajë kundër Polonisë, në Poloni. 
Fillimisht, Ukraina duhet të fitojë ndaj Suedisë që përfundoi e fundit në grupin që u fitua nga Zvicra në kualifikime, por në plejof luan pasi e fitoi grupin në Ligën e Kombeve në vitin e kaluar. 

“Do të luajmë kundër një shteti krenar, të fuqishëm në futboll”, ka deklaruar selektori i ri i Suedisë, Graham Potter, për Ukrainën. “Të gjithë duan të luajnë për shtetin e tyre. Emocioni do të jetë pjesë e ndeshjes të cilën ne duhet ta menaxhojmë, ta menaxhojmë mirë”. 

Në vitin 2022, Ukraina e fitoi gjysmëfinalen e plejofit në Skoci që u shty për më shumë se dy muaj shkaku i luftës. Por më pas humbi në ndeshjen vendimtare nga Uellsi.

Debutimi i Kosovës?

Rrugëtimi i Kosovës drejt Botërorit të parë si përfaqësuesja më e re e Evropës do të nisë në udhëtim te Sllovakia, e më pas njëra prej tyre do të jetë nikoqire e Turqisë apo Rumanisë. 

Kosova, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, u pranua si anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s tetë vjet më vonë, në të njëjtin vit me Gjibraltarin. 

Irlanda i arriti dy fitore të njëpasnjëshme ndaj Portugalisë dhe Hungarisë, me të gjitha pesë golat e shënuar nga Troy Parrott. Në gjysmëfinale të plejofit do të luajë në udhëtim te Republika e Çekisë, ndërsa fituesi më pas e pret Danimarkën apo Maqedoninë e Veriut. 

Danimarka mbeti në pozitën e dytë, të plejofit, pasi humbi 4:2 nga Skocia që fitoi në kohën shtesë të martën, duke bërë dramë edhe më të madhe se ajo në Budapest. 

“E kam parë reagimin e Skocisë pas fitores”, ka thënë përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrimsson për “AP”. “Kjo është ajo që loja e bukur na dhuron. Uroj që kjo të zgjasë dhe ne të jemi në momente të tilla”.

Plejofi interkontinental

FIFA po ashtu ka bërë tërheqje të shortit për gjashtë shtetet që do të luajnë në plejofin interkontinental, ku nuk përfshihet Evropa. 

Iraku, që ishte bartëse në short, duhet ta mposht Bolivinë apo Surinamen në një ndeshje të plejofit në mars të vitit të ardhshëm, për t’u kualifikuar në turne. 

Kongo ishte bartësja tjetër e degëzimit të plejofit interkontinental dhe do të luajë në finale me fituesin e gjysmëfinales Kaledonia e Re – Xhamajka. 

Gjashtë ndeshjet e plejofit interkontinental do të luhen në Meksikë më 23 dhe 31 mars, në stadiumet e Guadalajaras dhe Monterreyt, të cilat do të jenë nikoqire të katër ndeshjeve të Kupës së Botës në qershor. 

Penalltia e shënuar nga Iraku në minutën e 17-të të kohës shtesë kundër Emirateve të Bashkuara Arabe të martën, e dërgoi ekipin e Graham Arnoldit në plejofin e ngjarjes globale. Fitorja 2:1 e Irakut në Basra, ia siguroi fitoren 3:2 me rezultat të përgjithshëm, në plejofin aziatik me dy ndeshje. 
“Ishin skena të çmendura dhe ishte rezultat i jashtëzakonshëm, dhe ja ku jemi”, ka thënë Arnold për “AP”. 

Paraqitja e vetme e Irakut në Kupë të Botës ishte në vitin 1986, ndërsa Arnold e udhëhoqi shtetin e tij, Australinë, në turneun e Botërorit 2022 në Katar, deri në 1/8 e finales. 

Kaledonia e Re është ekipi me renditjen më të ulët në plejof, e 149-ta në listën me 211 anëtarë të FIFA-s. 

Kaledonia e Re avancoi në plejof pasi fitoi 3:0 ndaj Tahitit në mars, para se të humbte në finale të Oqeanisë nga Zelanda e Re. Përzgjedhësi Johann Sidaner e ka luajtur vetëm një ndeshje nga ajo kohë, duke e mposhtur Gjibraltarin në miqësore muajin e kaluar.

Shorti i Kupës së Botës

Në total, gjashtë ekipe do të avancojnë nga dy plejofe në muajin mars, për ta kompletuar Botërorin me 48 përfaqësuese. 

42 përfaqësuese të tjera janë konfirmuar këtë javë kur përfundoi faza grupore dhe ndeshjet e plejofit në katër kontinente. 

Shorti i Kupës së Botës është më 5 dhjetor në Kennedy Center në Washington.