Maqedonia e Veriut e ka pranuar rolin e autsajderes në ndeshjen vendimtare për kualifikim në Botëror. Maqedonia e Veriut të martën mbrëma (20:45) luan ndaj Portugalisë në Porto, në finale të plejofit për kualifikim në “Katari 2022”.
Portugalia me Cristiano Ronaldon në përbërje, natyrisht është favorite e madhe. Por edhe te Maqedonia V. kanë synime për të siguruar kualifikimin historik. Te kjo përfaqësuese janë trimëruar pas fitores 1:0 ndaj Italisë në gjysmëfinale të plejofit. Maqedonia V. fitoi 1:0 në Palermo, ndonëse për 90 minuta Italia dominoi plotësisht. Golin e fitores Maqedonia V. e shënoi në minutën e 92-të.
“Qartë, si para ndeshjes ndaj Italisë e dimë se kujt i takon roli i favoritit në këtë ndeshje. Ne e njohim kualitetin e Portugalisë. Nuk ka nevojë të përmendim të gjithë emrat që luajnë për Portugalinë. Por nuk jemi këtu për turizëm. Përkundrazi, kemi ardhur për të fituar”, ka thënë përzgjedhësi i Maqedonisë V., Blagoja Milevski, të hënën mbrëma në konferencë për shtyp.
Maqedonia e Veriut ka stërvitur të hënën mbrëma në “Estadio do Dragao” në Porto dhe atmosfera ishte shumë e mirë.
Te Maqedonia e Veriut pritet të startojnë Visar Musliu, Ezgjan Alioski, Arijan Ademi e Enis Bardhi, që ishin prej më të mirëve ndaj Italisë.
“Askush nuk ka pritur që të paraqitemi në këtë ndeshje. Por ne kemi konfirmuar kualitetet tona hap pas hapi dhe jemi me meritë këtu, në finale të plejofit. Lojtarët sërish e kanë vetëm një porosi nga unë, të shijojnë momentin, të dalin në fushë dhe edhe një herë të shfaqin të gjithë potencialin dhe zemrën që kanë”, ka shtuar Milevski.
Edhe
Portugalia në epërsi ndaj Maqedonisë
Portugalia në gjysmëfinale të plejofit e kaloi Turqinë duke e mposhtur 3:1.
Në finalen tjetër të plejofit takohen Polonia e Suedia, në Chorzoë. Suedia fitoi 1:0 ndaj Çekisë, ndërsa Polonia u kualifikua pa lojë në finale, pas përjashtimit të Rusisë. Ndërkohë Uellsi duhet ta presë fituesin e ndeshjes Skoci – Ukrainë për të kuptuar me kë do të përballet në finale. Ndeshja Skoci – Ukrainë është shtyrë për në qershor, për shkak të luftës në Ukrainë. Në qershor pritet të luhet edhe finalja me Uellsin, që në gjysmëfinale e eliminoi Austrinë duke e mposhtur 1:0.