Sport

Milani po e përballon më mirë se Interi situatën pa veteranin kryesor

Skuadra e Milanit po e përballon më mirë situatën pa veteranin kryesor të ekipit sesa Interi. Dhe, ky është një lajm i keq për kampionin në fuqi, Interi, që shkon në katër ndeshjet e fundit të sezonit në Serie A.

Milanit i është dashur të luajë pjesën më të madhe të sezonit pa Zlatan Ibrahimoviqin, por e ka trajtuar mirë mungesën e tij, me sulmuesin 40-vjeçar që është prani e vazhdueshme në tribuna, duke brohoritur dhe nxitur bashkëlojtarët e tij më të rinj. Interi luajti një ndeshje pa kapitenin e tij, Samir Handanoviç, dhe mund të ketë parë që shanset e tij për ta mbrojtur titullin zhduken.

Portieri 37-vjeçar përballet me një sfidë për t'u përgatitur për ndeshjen e së dielës në Udinese, e cila është kthyer në një ndeshje që duhet fituar. Handanoviqi, i cili kishte luajtur të 33 ndeshjet e mëparshme në ligë për Interin këtë sezon, humbi duelin e mbetur ndaj Bolognas të mërkurën mbrëma për shkak të një problemi me shpinën dhe u zëvendësua nga Ionuț Radu.

Interi dukej se do ta fitonte ndeshjes pas golit të epërsisë së Ivan Perishiqit në minutën e tretë, por Marko Arnautoviq barazoi shifrat dhe një gabim i tmerrshëm nga Radu i dha Bolognas fitoren 2:1 - dhe ndoshta Milanit titullin - nëntë minuta pa përfunduar ndeshja.

24-vjeçari Radu u largua nga fusha në lot dhe u desh të ngushëllohej nga shokët e skuadrës, përfshirë holandezin Denzel Dumfries, i cili gjithashtu u përpoq të bllokonte kamerat televizive që të filmonin shqetësimin e portierit. Handanoviqi eci nga banka e rezervistëve për në tunel, pa u dukur, t'i hidhte një vështrim shokut të tij të skuadrës që qante.

“I gjithë stafi im dhe unë kemi vërtet besim të madh te Radu. Nëse një sulmues bën një gabim ose një mbrojtës humbet lojtarin e tij, flitet më pak. Ishte një incident fatkeq që na penalizoi, por incidentet fatkeqe duhet të parandalohen gjithmonë”, tha trajneri i Interit, Simone Inzaghi. “Nëse do të kishim qenë 2:0 ose 3:0, nuk do të kishte shumë rëndësi, Radu duhet të qëndrojë i qetë sepse ai është një portier i madh dhe ka një karrierë shumë të mirë përpara vetes”.

Për katër muaj, Interi e kishte vënë në dukje ndeshjen e shtyrë në Bologna si një shans për të fituar terren në garën për titull, por në vend të kësaj mbeti dy pikë prapa liderit të Serie A, Milanit. Milani madje mund të përballojë të barazojë një nga ndeshjet e tij të fundit, pasi ka gjithashtu rekordin më të mirë në ndeshjet direkte me Interin, ballë për ballë, që është barazimi i parë në ligën italiane.

“Humbja nga Bologna me të vërtetë dhemb, por ne duhet të rikthehemi menjëherë. Ne kemi një ndeshje tjetër me Udinesen, pastaj tri të fundit me finalen e Kupës së Italisë. Ne duhet të përgatitemi siç duhet për këto ndeshje të fundit edhe pse më nuk e kemi në dorë fatin tonë”, ka pranuar Inzaghi. “Dhe të humbasësh është më e vështirë për ne tani. Por ne duhet të vazhdojmë përpara, duke pasur parasysh se po e ndjekim titullin. Gjithçka ishte në duart tona dhe tani jemi prapa. Megjithatë, ne e kemi gjetur veten pas skuadrave të tjera më parë. Gjithçka që mund të bëjmë tani është të fitojmë të gjitha ndeshjet tona të mbetura”.

Radu për pak sa nuk e eliminoi edhe nga Kupa e Italisë. Ai shënoi një autogol në paraqitjen e tij të vetme për Interin këtë sezon për të kaluar Empolin në epërsi 2:1 në 1/8 e finales përpara se Andrea Ranocchia të shënonte në kohën shtesë për ta dërguar ndeshjen në vazhdime. Megjithatë, Interi avancoi tutje falë golit të shënuar nga Stefano Sensi.

Interi do të shpresojë në rikthimin e Handanoviqit për ndeshjen kundër Udineses. Portieri slloven e ka ndihmuar ekipin e tij të ketë mbrojtjen më të mirë në Serie A, duke lejuar vetëm 26 gola në 33 ndeshje para humbjes 2:1 nga Bologna. Pas udhëtimit në Udine, Interi luan me Empolin në shtëpi dhe më pas udhëton te Cagliari përpara se të presë Sampdorian në ndeshjen e fundit të sezonit. Milani e pret Fiorentinën të dielën para ndeshjeve kundër Veronas, Atalantas dhe Sassuolos.