Trajneri Stefano Pioli insistoi të hënën se Milani e ka kthyer vëmendjen te ndeshja e parë e Ligës së Kampionëve me Newcastle Unitedin, pas poshtërimit në derbin lokal vikendin e shkuar. Kampioni i shtatëfishtë i Evropës, Milani, u mposht 5:1 nga lideri i Serie A, Interi, që dërrmoi një skuadër me pamje të re që kishte tri fitore radhazi para pushimit ndërkombëtar. Ishte humbja e pestë e Milanit në po aq derbi këtë vit, me Interin që ka shënuar 12 gola dhe ka pranuar vetëm një, përfshirë këtu edhe ndeshjet gjysmëfinale të Championsit edicionin e kaluar.
“Ne kishim shumë besim për derbin, por nuk shkoi mirë dhe nuk ka kuptim ta fshehim. Ishte një zhgënjim i madh, por ne kemi Ligën e Kampionëve dhe kjo është mirë pasi është e vetmja mënyrë për të reaguar. Këto disfata në derbi dhembin dhe do të jepja gjithçka për t'i ndryshuar, por fatkeqësisht pësuam thellë”, ka thënë Pioli në konferencën për shtyp.
Skuadra e Milanit është pjesë e grupit më të vështirë të Championsit. Luan në Grupin F, të cilin e përbëjnë edhe Newcastle Unitedi, Paris Saint-Germaini e Borussia Dortmundi. Një fillim i mirë i Milanit në shtëpi ndaj Newcastlet në Champions, do të ishte përgjigja e përsosur ndaj zhgënjimit të vikendit të shkuar. Dueli mes Milanit dhe Newcastle Unitedit zhvillohet të martën prej orës 18:45 në stadiumin “San Siro”.
“E di që kam një ekip të mirë dhe ky grup lojtarësh do të mund të kalojë një derbi vërtet të vështirë duke reaguar ndaj Newcastlet. Nuk do të jetë lehtë por besojmë në fitore. Ua kemi borxh tifozëve sepse vitin e kaluar kur ishim në vështirësi, kur luanim shumë keq, ata na mbështetën”, tha Pioli.
Për dallim prej Milanit që po synon të reflektojë pas humbjes në kampionat, Newcastle Unitedi po synon që pas triumfit në Premier League ta vazhdojë ecurinë pozitive edhe në Champions. Në xhiron e fundit, Newcastle mposhti 1:0 Brentfordin dhe kundër Milanit do ta ketë paraqitjen e parë në garën elitare të Evropës pas një periudhe të gjatë. Newcastle, falë investitorëve nga Arabia Saudite, është rikthyer në Champions pas dy dekadave dhe rikthimin në këtë garë synon ta bëjë në mënyrën më të mirë të mundshme, me fitore.
“Mendoj se ndeshjen kundër Milanit do ta shijojmë më shumë këtë herë pasi vijmë pas fitores në kampionat. Mendoj se është koha të tregojmë vlerat tona edhe në Champions dhe besoj se jemi gati për këtë ndeshje të vështirë por edhe të madhe”, tha trajneri i Newcastlet, Eddie Howe.
Në Premier League, Newcastle është i 11-ti në tabelë, ndërsa Milani zë vendin e tretë në Serie A. Mesfushori Sandro Tonali do të kthehet në stadiumin “San Siro” më herët se sa pritej pasi u shit te Newcastle në afatin kalimtar të verës. Largimi i mesfushorit është një nga dy ndryshimet e mëdha të Milanit në verë, përfshirë këtu edhe shkarkimin e Paolo Maldinit nga posti i drejtorit teknik. Mesfushori i Italisë, Tonali, i cili pritet të luajë të martën, është tifoz i Milanit nga fëmijëria dhe ishte një komponent kyç i skuadrës që fitoi titullin e parë të ligës pas 11 vjetësh, në vitin 2022.
“Do të jetë emocionale. Sandro është një lojtar i madh dhe ishte i rëndësishëm për ne që të arrijmë këtu ku jemi”, pranoi Pioli. “Ne fituam së bashku dhe u rritëm së bashku. Do të jetë emocionale për të që të kthehet në ‘San Siro’. Ne i urojmë atij më të mirën por duke filluar nga ndeshja tjetër”.
Të martën, kur edhe nis edicioni 2023/24 i Championsit, do të zhvillohen edhe shtatë ndeshje tjera. Në kuadër të Grupit F, do të luhet edhe dueli në Paris ndërmjet PSG-së dhe Borussia Dortmundit, nga ora 21:00.
Ndërkohë nga dy duele të tjera do të luhen në kuadër të grupeve E, G dhe H. Kampioni në fuqi i Evropës, Manchester City, është pjesë e Grupit G dhe mbrojtjen e trofeut e nis me ndeshjen që e luan në “Etihad Stadium” kundër Cërvena Zvezdës, prej orës 21:00.
Antwerpi i Arbnor Mujës do të jetë mysafir i skuadrës së Barcelonës në duelin e Grupit H.
Grupi E
Feyenoord – Celtic (21:00)
Lazio – Atl. Madrid (21:00)
Grupi F
Milan – Newcastle (18:45)
PSG – Borussia D. (21:00)
Grupi G
Y. Boys – Leizig (18:45)
Man. City – C. Zvezda (21:00)
Grupi H
Barcelona – Antwerp (21:00)
Shakhtar D. – Porto (21:00)