Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Milani duhet ta vazhdojë dominimin në derbi për të ngjallur garën për titull

milan

Milani duhet të vazhdojë dominimin e fundit ndaj fqinjit, Interit, për të mbajtur gjallë shpresat për ta sfiduar në garën për titull të kampionit të Italisë. Në fakt Milani ka mbetur goxha prapa Interit në garën për më të mirin e Serie A.

Milani është i pamposhtur në gjashtë derbit e fundit të qytetit, kurse ka fituar katër prej tyre. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Takimi i së dielës duhet fituar patjetër nga “kuqezinjtë” që gara deri diku të mbetet e hapur. Pas xhiros së 27-të të kampionatit italian, Interi është lider me 67 pikë. Milani është i dyti me 57 pikë. Ndeshja e së dielës në “San Siro” zhvillohet nga ora 20:45.

Në fillim të janarit tri skuadra po luftonin për “Scudetto”.

Interi kishte një pikë më shumë se Milani, derisa Napoli ishte aty me një pikë më pak se Milani. Por vetëm Interi ka mbajtur ecurinë pozitive prej atëherë. Kjo skuadër humbi vetëm dy pikë në 15 ndeshjet e fundit për të bërë shkëputje të madhe në krye. Milani ka lëshuar shtatë pikë në gjashtë ndeshjet e fundit.

Milani i Massimiliano Allegrit ka humbur vetëm dy ndeshje gjatë gjithë edicionit, derisa Interi i ka katër disfata. Por nëntë barazimet e Milanit e kanë bërë dallimin. Interi e ka vetëm një. 

Një tjetër barazim të dielën, do të ishte thuajse pa peshë për Milanin, ku paraqitet mesfushori shqiptar, Ardon Jashari. Deri në fund të kampionatit janë edhe 11 xhiro.

Interi është ende pa sulmuesin Lautaro Martinez. Francesco Pio Esposito pritet ta udhëheqë sulmin. Mbrojtësi i Milanit, Matteo Gabbia pritet të jetë jashtë një muaj pas një operimi.

Fitorja e fundit e Interit në derbi ishte në prill të vitit 2024. Fitorja në ndeshjen si mysafir i mundësoi Interit ta siguronte titullin para tifozëve të Milanit. Ishte fitorja e gjashtë rresht e Interit ndaj Milanit. Një fitore tjetër nuk do të siguronte titullin këtë herë për Interin. Por dallimi prej 13 pikësh me dhjetë ndeshje të mbetura do të bënte që Interi ta ketë kontrollin e plotë në garën për të parin në Itali.