Milani ka marrë goditje të madhe në garën për të zënë një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve në edicionin tjetër. “Rossonerët” të mërkurën mbrëma barazuan me Cremonesen e vendit të parafundit në tabelën e elitës së futbollit italian.
Milani dhe Cremonese të mërkurën mbrëma, barazuan 1:1 në kuadër të xhiros së 33-të të Serie A.
Golin e epërsisë për mysafirët e shënoi sulmuesi nigerian David Okereke, në minutën e 77-të.
Në minutën e tretë të shtesës, Junior Messias e shpëtoi Milanin nga disfata. Me këtë barazim, Milani mbetet në pozitën e gjashtë me 58 pikë. Cremonese në vendin e parafundit ka 21 pikë.