Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Messi nis stërvitjet me PSG-në, pritet të debutojë më 29 gusht

Pas një pritjeje të zjarrtë dhe prezantimit të zhurmshëm që u krijua nga tifozët parisienë, argjentinasi Lionel Messi u njoftua me shokët e tij të rinj të skuadrës në objektin stërvitor të Paris Saint-Germainit, të enjten.

PSG-ja ka bërë shumë për ta rreshtuar Messin përkrah Neymarit dhe Kylian Mbappes, për të krijuar një sulm të frikshëm për ta fituar trofeun e Ligës së Kampionëve.

Fituesi i Kupës së Botës me Francën, Mbappe ishte një nga të parët që i uroi mirëseardhjen Messit, pas mbërritjes së tij zyrtare në klub. 22-vjeçari postoi urimet e tij më të mira për të sapoardhurin në mediat sociale. Mbappe është lidhur me një kalim te Real Madridi, pasi ka vetëm edhe një vit kontratë me PSG-në. Mirëpo, drejtuesit e klubit insistuan se pas ardhjes së Messit, ai do të mbetet te PSG-ja për sezonin 2021/22.

“Mirë se erdhe në Paris, Leo”, shkroi Mbappe në postimin me foton, ku shihej duke u përqafuar me Messin.

Messi, i cili iu bashkua PSG-së si lojtar i lirë pas largimit nga Barcelona, nuk ka stërvitur qëkur e fitoi “Copa American” me Argjentinën në muajin korrik. Kështu që stërvitja e parë e Messit te Parisi përbëhej kryesisht nga ushtrimet individuale të vrapimit dhe rikthimit të forcës fizike.

“Unë kam qenë jashtë fushës për rreth një muaj dhe duhet të bëhem fizikisht gati. Shpresoj të jem gati sa më shpejt të jetë e mundur, sepse mezi pres të luaj”, tha Messi gjatë prezantimit të tij te Parisi.

Ai nuk ka gjasa të bëjë debutimin e tij së shpejti për ekipin francez dhe sigurisht jo këtë fundjavë, kur PSG-ja do të përballet me Strasbourgun në kuadër të Ligue 1.

Megjithatë, thuhet se Messi do të debutojë për ekipin e trajnerit Mauricio Pochettino në fund të këtij muaji. Saktësisht ai pritet të luajë ndeshjen e parë zyrtare me Parisin më 29 gusht, në kuadër të kampionatit, në udhëtim kundër Reimsit.

“Nuk mund t'ju them se kur do të jetë loja ime e parë, por mund t'ju them se dua që ajo të jetë së shpejti”, tha Messi. “Mezi pres të luaj sërish”.

Messi zbarkoi në kryeqytetin francez të martën pasdite, përpara se të nënshkruante kontratën dyvjeçare me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ai te PSG-ja do të ketë pagë vjetore prej 35 milionë eurosh, ndërsa do ta bartë fanellën me numrin 30. Pikërisht për fanellën e Messit kërkesat janë të mëdha, me tifozët e PSG-së që vazhdojnë të rreshtohen jashtë dyqaneve të ndryshme të klubit në kryeqytet për të blerë fanellën me emrin dhe numrin e tij mbrapa.

Efekti i Messit në të ardhurat e PSG-së pritet të jetë shumë i madh. Vetëm të martën kur klubi konfirmoi se Messi kishte nënshkruar kontratën, 150 mijë fanella me numrin e argjentinasit u shitën brenda dhjetë minutave.

Është vlerësuar se Messi ishte përgjegjës për një të tretën e të ardhurave direkte dhe indirekte të Barcelonës. Dan Gaunt, menaxheri i përgjithshëm i agjencisë të vlerësimit të sponsorizimeve sportive “Turnstile”, vlerësoi se Cristiano Ronaldo ndihmoi në rritjen e tifozëve të Juventusit për 18 për qind, ndërsa Messi mund të ketë efekt më të madh te PSG-ja.

“Mendojmë se Messi do të ketë efekt më të madh dhe do ta shtoj bazën e tifozëve të Parisit në mbi 20 për qind. Messi është shumë i fuqishëm dhe do të ketë efekt pozitiv te PSG-ja, në të gjitha aspektet”.

Artikuj të ngjashëm