Lionel Messi ka gjasa të mëdha t’i prijë Argjentinës edhe në Kupën e Botës 2026 pas triumfit në Katar.
Messi paralajmëroi se turneu i Katarit ishte Botërori i fundit për të, por tek Argjentina kanë dhënë sinjale se sulmuesi mund të jetë në ekip edhe pas katër vjetësh. Botërori i vitit 2026, do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada, ndërsa Messi deri atëherë do të jetë 39 vjeç.
Mesfushori i Argjentinës, Alexis Mac Allister ka zbuluar se ekipi po përpiqet ta bindë Messin që mos të largohet nga përfaqësuesja deri pas Botërorit 2026.
“Ne nuk duam që ai të largohet nga ekipi edhe pse Messi tha në Katar se ky do të ishte Botërori i tij i fundit. Ne i kemi kërkuar të qëndroj dhe ai e di shumë mirë këtë. Kështu që, të presim dhe të shohim se çka do të ndodh”, është shprehur Mac Allister.
Messi krahas titullit të botës, u shpall edhe lojtari më i mirë i turneut të Katarit, në të cilin shënoi shtatë gola në po aq paraqitje.