Sport

Messi e Argjentina luajnë ndaj Polonisë për mbijetesë në Kupën e Botës

Lionel Messi tashmë ka qenë shpëtimtar i Argjentinës në Kupën e Botës. Tani duhet ta bëjë këtë përsëri.

Një tjetër mbrëmje e ngarkuar me emocione e pret Messin dhe shtetin e Argjentinës, që është i çmendur pas futbollit. Argjentina të mërkurën nga ora 20:00 luan me Poloninë në ndeshjen me shumë rëndësi.

Është me shumë rëndësi për Messin, që me gjasë e luan Botërorin e fundit. Është po ashtu e rëndësishme për sulmuesin polak Robert Lewandowski, që nuk dihet nëse do të paraqitet kur Botërori të mbahet sërish në vitin 2026.

Është ndeshje e madhe për Kupën e Botës në përgjithësi. Kush nuk dëshiron ta shoh Messin në fazën nokaut të Kupës së Botës që po bëhet gjithnjë e më interesante? Bëhet fjalë për njërin prej lojtarëve më të mirë në histori.

skenarë të shumtë në lojë për garën në Grupin C.

Me fitore Argjentina kualifikohet, me shumë mundësi si fituese e grupit. Me barazim, Argjentina mund të përfundoi e dyta pas Polonisë, apo të kalohet nga Arabia Saudite ose Meksika, që luajnë mes vete në ndeshjen tjetër të grupit.

Me humbje? Tek Argjentina nuk dëshirojnë ta përmendin humbjen. Argjentina jo vetëm që do të eliminohej, por do të turpërohej. Messi mund të mos shihet më me fanellën e bukur të vendit të tij.

Një skenar i tillë është i pamenduar për tifozët e zjarrtë argjentinas. Për këtë arsye pati lot te trajnerët dhe te tifozët pasi Messi shënoi gol në fitoren 2:0 ndaj Meksikës, të shtunën. Me atë fitore Argjentina u kthye në lojë pas shokut që e përjetoi nga Arabia Saudite. Arabët fituan 2:1. Tani argjentinasit janë në garë për të shmangur eliminimin e parë në grup që nga viti 2002.

“Tani një Kupë tjetër e Botës ka filluar”, tha Messi që shpreson të shënoi në ndeshjen e tretë rresht në këtë Kupë të Botës. Ai ka 13 gola për Argjentinën në vitin 2022, që është shifra më e lartë në një vit kalendarik për superyllin.

Ka pasur brenga për gjendjen fizike të Messit, pasi ai stërviti i vetëm për dy ditë para Kupës së Botës. Ai kompletoi ndeshjet me Arabinë Saudite dhe Meksikën, ndërsa në ndeshjen e dytë e patë një shqetësim në nyjën e këmbës. Më vonë u konfirmua se nuk kishte ndonjë gjë serioze.

“Është pyetje e mirë, si të ndalim Lionel Messin?”, ka thënë selektori i Polonisë, Czeslaw Michniewicz. “E gjithë bota ka menduar për këtë për vjet të tëra. Mendoj se nuk do të gjendet ndonjëherë përgjigjja përfundimtare”.

Selektori i Argjentinës, Lionel Scaloni duhet të vendosë nëse do të vazhdojë me Lautaro Martinezin, që është mbuluar mirë në dy ndeshjet e para, apo të startojë me sulmuesin tjetër, Julian Alvarez. Scaloni duhet të vendos po ashtu nëse mesfushori i ri, Enzo Fernandez ka bërë mjaftueshëm për të startuar, pas golit si zëvendësues kundër Meksikës. Ka tjera vendime që Scaloni duhet t’i marr për ndeshjen vendimtare të së mërkurës.

Sa i takon Polonisë, presioni është larguar pak nga 34-vjeçari Lewandowski, që shënoi në fitoren 2:0 ndaj Arabisë Saudite. Ishte goli i tij i parë në Kupa të Botës. Polonia nuk ka avancuar nga grupi në Kupën e Botës që nga viti 1986.

“A është ai i të njëjtit nivel me Messin? Thjesht duhet të kënaqemi me një lojtar kaq të mirë. Pse duhet t’i krahasojmë? Nuk ka ndonjë dobi”, ka thënë Scaloni për Lewandowskin.

Lewandowski aktualisht rivalizon Karim Benzeman si sulmuesi më i mirë në botë. Dhe tifozët e Argjentinës e dinë rrezikun që vjen nga Lewa.

Megjithatë argjentinasit e dinë që me Messin kanë një ikonë më të madhe. Dhe presin që 35-vjeçari të vendosë edhe një ndeshje të rëndësishme për vendin e tyre.