Skena e Kupës së Botës është vendosur për ndoshta turneun final të dy futbollistëve më të mëdhenj të brezit të tyre. Dhe sipas vlerësimit të një pjese të opinionit, për dy më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave.
Sigurisht turneu në Katar i jep Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos një shans të fundit për të fituar trofeun e lakmuar. Edhe përkundër nivelit të jashtëzakonshme të qëndrueshmërisë, ka pak gjasa që ndonjëri të jetë në Botërorin e ardhshëm në vitin 2026. Messi do të jetë 39 vjeç dhe Ronaldo 41-vjeçar. Pele dhe Diego Maradona - ndoshta dy lojtarët e vetëm që ende mund të sfidojnë supremacinë e Messit dhe Ronaldos në librat e historisë së futbollit - fituan reputacionin e tyre nga arritjet në këtë skenë. Pele fitoi trofeun tri herë me Brazilin, ndërsa Maradona udhëhoqi Argjentinën drejt titullit në vitin 1986 me një paraqitje aq të shkëlqyer individuale sa la gjurmë të pashlyeshme në turne.
Me gjithë gjenialitetin e tyre, Messi i Argjentinës dhe Ronaldo i Portugalisë nuk kanë arritur ende legjendat e mëhershme, sa i takon suksesit me përfaqësuese.
Është faza e fundit e karrierës së jashtëzakonshme për Ronaldon dhe Messin që kanë fituar 12 trofe të “Topit të Artë”, nëntë tituj të Ligës së Kampionëve, 18 tituj në ligë dhe shumë vlerësime të tjera.
Por atyre u mungon Kupa e Botës.
Messi kohët e fundit ka folur si një njeri që më në fund pranon se nuk mund të vazhdojë përgjithmonë.
“Jam me fat që mund të jem në këtë Kupë Bote në moshën 35-vjeçare”, tha argjentinasi për “DirectTV”. “Pas këtij Botërori ne do të shohim se çfarë mund të ndodhë me karrierën time.”
Ndërkohë, Ronaldo shkon në Katar me karrierën në rrëmujë pasi nuk arriti të sigurojë një largim nga Manchester Unitedi dhe nuk po merret shumë në konsideratë nga trajneri Erik ten Hag. Muajin e kaluar ai u hoq nga skuadra dhe u desh të stërvitej jashtë ekipit të parë si ndëshkim për refuzimin e hyrjes si zëvendësues kundër Tottenhamit. Në këtë pikë është e pamundur të gjykohet se në çfarë gjendje mund të jetë ai mendërisht apo fizikisht në Kupën e Botës. Po ashtu, është e pamundur të përjashtohet një lojtar që ka vendosur vazhdimisht standarde të reja, edhe në muzg të ditëve të tij të lojës. Së fundmi, Ronaldo shënoi golin e 700-të në karrierë në nivel klubesh.
Messi duket se ka avantazhin tani. Edhe nëse ai mund të mos ketë përsëritur vitet më të mira në Barcelonë që nga bashkimi me Paris Saint-Germain, Messi po dëshmohet më me ndikim në sezonin e dytë në Francë, me golat që shënohen sërish. Që të dy janë në një pozicion për të garuar në Kupën e Botës dhe kjo është një dëshmi për mënyrën se si ata janë kujdesur për trupin e tyre.
Ish-fizioterapisti anglez Dave Hancock, beson se lojtarët e futbollit kanë ndjekur drejtimin e vendosur nga atletët amerikanë.
“Ju e shihni këtë në shumë sporte amerikane”, tha Hancock. “Unë e kam parë këtë gjatë viteve duke u kujdesur për njerëz si Kevin Durant dhe Saquon Barkley, privatisht. Nëse shikoni Tom Brady, ai është 45 vjeç. Ka një ekip rreth tyre, kështu që ata e kuptojnë se sa më gjatë të luajnë aq më shumë para do të fitojnë”.
Hancock tha se Messi dhe Ronaldo ndajnë të njëjtat tipare mendore – edhe nëse janë fizikisht të ndryshëm.
“Ata janë lojtarë paksa të ndryshëm për kah fiziku i trupit të tyre. Por është e qartë se ata djem që luajnë në nivelin më të lartë për kaq shumë kohë e kanë kuptuar se çfarë duhet të bëjnë për ta mbajtur formën, nëse kjo është të punojnë në palestër, të shikojnë se çfarë hanë, të flenë”, tha Hancock.
Madhështinë e Messit dhe Ronaldos nuk e përcakton Kupa e Botës, edhe nëse ajo nuk fitohet prej tyre.
Kohët kanë ndryshuar dhe futbolli i klubeve ka tejkaluar në masë të madhe lojën ndërkombëtare për sa i përket profilit dhe popullaritetit. Kjo sidomos për shkak të suksesit të Ligës së Kampionëve dhe Premier Leagues në veçanti.
Tifozët anembanë botës kanë qenë në gjendje të dëshmojnë shkëlqimin e Messit dhe Ronaldos dy herë në javë, gjë që nuk ndodhi kurrë me Pelen apo Maradonën.