Sport

Mësohet kundërshtari i Haxhi Krasniqit për meçin e rikthimit

Boksieri i njohur kosovar Haxhi (Robin) Krasniqi do të rikthehet më 25 shkurt ku do të luftojë në një meç në 12 runde me rusin me shtetësi belge Timur Nikarkhoev.

Për Krasniqin do të jetë meçi i parë që nga tetori i vitit 2021, kur u mposht në luftë për titull bote në versionin IBO në kategorinë gjysmë të rëndë me pikë nga gjermani Dominic Boesel. Krasniqi kundërshtoi vendimin e gjyqtarëve, dhe madje çështjen e dërgoi në gjykatë.

“Miq të dashur, jam shumë i lumtur të ju informoj, se më datën 25 Shkurt 2023 do të rikthehem në ring në arenën madhështore "AUDI DOME" të qytetit gjerman Mynih. Kundërshtari im do të jetë numri i Belgjikës, Timur Nikarkhoev”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai ka treguar edhe për boksierët tjerë shqiptarë që do të luftojnë në mbrëmjen në Mynih. Ndërsa ka falënderuar edhe sponsorin.

“Sëbashku më mua në atë mbrëmje do të boksojnë edhe shumë boksier shqiptar (siç janë: James Kraft, Shefat Isufi, Armend Xhoxhaj, Isuf Kelmendi dhe Kushtrim Tahirukaj). Kjo mbrëmje e madhe e boksit do të organizohet nga sponsori im Burim Hazroll. Me padurim po e pres këtë mbrëmje, për të shënuar fitoren e radhës dhe për të ju gëzuar juve të gjithëve, sepse mbështetja që me keni dhënë ju miqtë dhe tifozët e mi të dashur, pas padrejtësisë që më është bërë në duelin tim të fundit ka qenë e papërshkrueshme”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi në boksin profesionist ka 51 fitore (19 KO) e shtatë humbje.

Kundërshtari i tij i radhës Nikarkhoev 29-vjeçar i ka 26 fitore (15 KO) e katër humbje.