Futbollisti Eniss Shabani realizoi një ëndërr të madhe të shtunën. Mesfushori i talentuar debutoi me fanellën e Mainzit në Bundesligën e Gjermanisë. “Ëndrra e fëmijërisë u bë realitet”, ka thënë të dielën për KOHËN 19-vjeçari. “Është e vështirë të përshkruhet me fjalë se si ndihesh në atë moment, por padyshim ishte ndjenjë e bukur”.
Shabani luajti nëntë minuta në ndeshjen që Mainzi e humbi nga Eintracht Frankfurti me rezultatin 3:0. Kosovari shpreson të mos jetë paraqitja e vetme ajo e xhiros së 32-të të elitës së futbollit gjerman.
Në maj të vitit të kaluar, Shabani nënshkroi kontratën e parë profesionale me Mainzin. Atëbotë ishte 18-vjeçar. Pjesë e skuadrës gjermane është prej janarit të vitit 2015, ndërsa kontrata e tij skadon në vitin 2025.
“Realizimi i ëndrrës së fëmijërisë sigurisht që është një ndjenjë e mrekullueshme. Shndërrimi i hobit tuaj në profesion është shumë gjë e këndshme. Por, ka gjithmonë vend për përparim, kështu që nuk kam kohë për të pushuar. Tani kam kushte perfekte për t’u zhvilluar edhe më mirë dhe kjo ka rëndësi sidomos në planin afatgjatë”, ka thënë Shabani.
Ai mori lëvdata pas ndeshjes së parë në Bundesligë.
“Trajneri im nuk tha shumë gjëra, por shokët e skuadrës më uruan gjitha të mirat dhe më thanë se meritova rastin. Kam dalë në fushë dhe thjesht e kam shijuar momentin”, tregon Shabani.
Shabani është zhvilluar te Mainzi, ndërsa pret të luajë edhe më shumë në të ardhmen.
“Shpresoj. Vendimin e merr trajneri, por unë do të vazhdoj të punoj shumë për të fituar rastin”.
Ai ka pasur durim dhe ka pritur rastin për t’u paraqitur me ekipin e parë.
“Si lojtar duhet të tregosh shumë durim dhe qëndrueshmëri. Nëse vazhdon dhe punon me intensitet të lartë, sigurisht se rasti nuk të mungon. Unë jam i lumtur për rastin dhe uroj të vazhdoj me këtë ritëm”.
Shabani ka stërvitur rregullisht me ekipin e parë të Mainzit.
“Fakti që kam stërvitur rregullisht me ekipin e parë më ka bërë të mësoj javë pas jave gjëra të mëdha. Është thjesht kënaqësi të luash dhe të jesh kandidat për të qenë pjesë e një ekipi që luan në gara të nivelit më të lartë”, thotë mesfushori.
Shabani u lind në Giessen të Gjermanisë. Babanë e ka nga Prishtina, kurse nënën nga Zenica e Bosnjë-Hercegovinës.
Ai ka luajtur një ndeshje në vitin 2018 për U16 të Gjermanisë dhe një ndeshje në maj të vitit të kaluar për Gjermaninë U19. Por, nuk ia ka mbyllur derën Kosovës.
“Do të shohim”, ka deklaruar shkurt Shabani.
Ai është një prej disa lojtarëve shqiptarë që kanë luajtur këtë edicion në Bundesligën e Gjermanisë. Bundesliga është një prej ligave më të forta në Evropë.