Sport

Medalje edhe nga një garë jo e lehtë për Kosovën

Nora Gjakova u lëndua, Laura Fazliu nuk shfaqi atë që pritej dhe Loriana Kuka u ndal sërish herët. Grand Slami në Baku të Azerbajxhanit nuk ishte garë e lehtë për ekipin e Kosovës në xhudo. Ndonëse sfiduese, gara e mbajtur prej të premtes deri të dielën ishte edhe e suksesshme. Të tillë e bën medalja e argjendtë e Nora Gjakovës e fituar në kategorinë deri 57 kilogramë, të premten. Por edhe paraqitja e Dardan Cenës ndaj rusit Ayub Khazhaliev, ndonëse humbi prej tij.

Lajmi më i mirë është që lëndimi i Norës, që e la jashtë luftës finale, nuk pritet të jetë serioz.

“Nora ka një zgjatje muskulore, që shpresojmë se nuk është gjë serioze. Javën tjetër do të mësojmë saktësisht gjendjen e saj”, ka thënë trajneri i Kosovës, Driton Kuka.

Ai e çmon faktin që Nora, ndonëse e lënduar, i shkoi deri në fund luftës me holandezen Julie Beurskens. Ndaj saj fitoi me uazari, ndonëse luftoi për dy minuta e lënduar. Me shumë mund shmangu dënimin e tretë, por e ruajti epërsinë dhe siguroi kalimin në finale. Në finale ndaj Christa Deguchi të Kanadasë nuk u paraqit për shkak të lëndimit. Mezi doli edhe në podium për të pranuar medaljen e argjendtë, që ndër të tjera ia siguroi pikët që ia garantojnë pozitën e bartëses në Lojërat Olimpike.

Edhe e shtuna nisi mirë për Kosovën.

Në kategorinë deri 73 kilogramë, Dardan Cena nisi me fitore të lehtë ndaj Andrew Munnings të Bahameve. Më pas kishte sfidë të vërtetë me Khazhalievin. Ndaj tij kërkoi vazhdimisht hedhjen dhe iu afrua asaj. Khazhaliev, megjithatë, fitoi me dy uazari, por trajneri Driton Kuka mori sinjalet që priste nga Dardan Cena.

“Nëse vazhdon kështu, e ardhmja e Dardanit është e ndritur. Ka luftuar si duhet në Baku”, ka thënë Kuka.

Kritik kryemjeshtri Kuka është për Laura Fazliun. Laura fitoi dy luftërat e para, ndërsa më pas humbi dy luftërat e tjera në kategorinë deri 63 kilogramë. U rendit e shtata. Trajneri Kuka e di potencialin e Laurës. E di që ajo në çdo garë duhet të jetë në podium. Sidomos në vitin olimpik. Rrjedhimisht e ka kapërdirë vështirë ndaljen e hershme të xhudistes 23-vjeçare. Dhe ka bërë kritika publike ndaj saj. Kryetrajneri i Kosovës është i vendosur që ta kthejë Laurën në rrugën e sukseseve. Dhe atë që nga gara e ardhshme.

Loriana Kuka ka kohë që nuk ka fituar medalje në gara të rëndësishme. Të dielën në kategorinë deri 78 kilogramë i kishte dy fitore e më pas dy humbje. Edhe ajo u rendit e shtata. Ndonëse pa medalje, Loriana po merr pikë që shpresohet se do ta mbajnë brenda zonës që i siguron normë olimpike. Për të synuar rezultat në Paris në verë duhet të shfaqë nivel dukshëm më të lartë se aktualisht. Këtë e di trajneri Kuka, por edhe vetë Laura.

Xhudistët i kthehen punës në stërvitje menjëherë të hënën. Sfidën e radhës pritet ta kenë muajin e ardhshëm në Austri. Gara të tjera janë në program në javët e muajt e ardhshëm. Synimi është i qartë – arritja e formës më të lartë për Lojërat Olimpike të Parisit.