Sport

Maxhuni i motivuar për ndeshjen kundër Serbisë: Është ndjenjë e veçantë

Basketbollisti kosovar, Edon Maxhuni, po luan me sukses në “Eurobasket 2022”. Fundori Maxhuni është pjesë e Finlandës, që deri tani ka një fitore e një humbje.

Për Finlandën me shumë peshë do të jetë ndeshja e së hënës mbrëma ndaj Serbisë. Për atë ndeshje shumë i motivuar është edhe Maxhuni.

Në të vërtetë, Serbia vlerësohet prej favoriteve për triumf në ”Eurobasket”. Në radhët e saj ka Nikola Jokiqin, lojtarin më të vlefshëm të NBA-së në dy edicionet e fundit.

Ndonëse Serbia është favorite e madhe, Finlanda do të tentojë të fitojë në ndeshjen në Pragë të Çekisë.

Në ndeshjen e parë të grupit D, Finlanda pësoi me shifrat 89:87, të premten. Të shtunën, Finlanda fitoi bindshëm, 89:59, ndaj  Polonisë.

Maxhuni, 24-vjeçar, ndaj Izraelit luajti 31 minuta dhe kontribuoi me 11 pikë, gjashtë kërcime e tri asistime. Ndërkohë në fitoren ndaj Polonisë, Maxhuni luajti afro 18 minuta dhe realizoi tetë pikë e tri asistime. Shënoi dy herë për tri pikë në momente vendimtare.

Serbia fillimisht ka fituar 100:76 ndaj Holandës, ndërsa më pas fitoi 81:68 ndaj Çekisë.

“Ne vetëm kemi luajtur ndeshjen tonë. Kemi shikuar disa video dhe kemi bërë disa përmirësime. E kemi ditur që mundemi dhe hymë në lojë me mentalitet dhe energji tjetër, dhe kjo u pa”, ka thënë Maxhuni për fitoren ndaj Polonisë. Ai ka folur për mediat serbe, që po e përcjellin nga afër Evropianin e basketbollit. Ai e di që ndeshja ndaj Serbisë do të jetë e vështirë. Natyrisht, është pyetur për këtë ndeshje që zhvillohet nga ora 21:00.

“Natyrisht, do të jetë vështirë. Por kemi një ditë për t’u përgatitur. Do të luajmë me energji të njëjtë dhe do të mundohemi të fitojmë”, ka theksuar Maxhuni, që më pas është pyetur nëse ka emocione shtesë për shkak të ndeshjes me Serbinë. Si sportist i vërtetë, ai nuk ka komentuar shumë.

“Politika mbetet politikë, sporti është sport. Është gjithnjë ndjenjë e veçantë të luaj ndaj Serbisë dhe të shohim në ndeshje”.

Maxhuni tashmë ka luajtur ndaj Serbisë. Në kualifikimet për këtë Eurobasket, në Espoo të Finlandës, Serbia kishte fituar me shifrat 75:66. Fundori kosovar ishte më i miri te Finlanda në atë ndeshje me 15 pikë, gjashtë asistime e dy kërcime. Ajo ndeshje ishte luajtur më 30 nëntor të vitit 2020.

Edon Maxhuni është djali i ish-basketbollistit të njohur kosovar, Besim Maxhuni. Është në fakt pjesë e një familjeje të madhe sportive. Basketbollist i njohur ishte edhe Bekim Maxhuni, xhaxhai i Edonit, ndërsa gjyshi i Edonit, Hysni Maxhuni, është prej trajnerëve më të mëdhenj që ka pasur Kosova.

“Kemi folur shumë (me babanë) për basketbollin ballkanik. E kemi shikuar. Kështu që do të jetë mirë”, ka theksuar Edon Maxhuni.

Në grupin D pos Finlandës e Serbisë janë edhe Izraeli, Polonia, Çekia dhe Holanda. Katër të parat në grup avancojnë në raundin e dytë. Finlanda ka gjasa të mëdha që të jetë në mesin e tyre.