Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Maxhuni do ta udhëheqë Finlandën ndaj Serbisë

Përfaqësuesja e Finlandës në basketboll të premten i fillon kualifikimet për Eurobasket 2025. Ndeshjen e parë Finlanda e luan ndaj Serbisë në Beograd.

Finlandën në ndeshjen e vështirë në Beograd do ta udhëheq basketbollisti shqiptar, Edon Maxhuni. 25-vjeçari është organizatori kryesor i lojës së Finlandës, ndërsa po kalon formën më të mirë në karrierë. Maxhuni po paraqitet në kampionatin francez për skuadrën Le Portel.

Maxhuni deri më tani i ka 46 ndeshje për Finlandën, ndërsa i ka shënuar 383 pikë. Në fakt Finlanda do të jetë në Eurobasket si nikoqire, por megjithatë, synon kualifikime të suksesshme. Është në Grupin G, ku bëjnë pjesë edhe Danimarka e Gjeorgjia.

“Synimi është të fitojmë çdo ndeshje. Kemi gjashtë ndeshje të vështira në këto kualifikime. Do të luajmë për të fituar grupin dhe secilën ndeshje”, ka thënë Maxhuni në një intervistë për “basket.fi”.

Në vitet e kaluara, Finlanda shënoi fitore të mëdha ndaj Sllovenisë e Kroacisë. Ndaj Serbisë nuk ka fituar për kohë të gjatë.

“Personalisht ndihem i motivuar kur luajmë ndaj vendeve të ish-Jugosllavisë. E kuptoj se çka thonë kundërshtarët në fushë dhe mund të ndihmoj trajnerët dhe bashkëlojtarët të përgatiten për mbrojtjen e radhës. Madje mund t’i them diçka të këndshme kundërshtarit gjatë ndeshjes”, ka thënë Maxhuni. Sllovenia e Kroacia kanë rënë në vitet e fundit, por ndaj Serbisë do të ishte fitorja më e madhe. Tani mund të shkojmë në Beograd dhe të luajmë ndeshje të përkryer, pasi nuk kemi çka të humbim”, ka thënë Maxhuni.

Ai në gushtin e vitit të kaluar u paraqit në Kampionatin Botëror të basketbollit. Më pas u lëndua dhe mungoi për mbi një muaj. Pasi u rikuperua plotësisht firmosi kontratën e pestë profesionale në karrierë. Vendosi për skuadrën franceze Le Portel, që ishte në kërkim të një fundori cilësor. Skuadra ishte në pozitë të keqe, por me Maxhunin shënoi tetë fitore në nëntë ndeshje. Pasoi një rënie në formë, por së fundi Le Portel i fitoi tri ndeshje rresht.

Maxhuni vjet luajti në Crailsheim Merlins në Bundesligë. Ka bërë karrierë edhe në Holandë, Estoni, Spanjë e Finlandë. Një periudhë e ka kaluar edhe në SHBA.

Le Portel tani është në zonën që dërgon në plejof, ndërsa Maxhuni po luan me 11,1 pikë e 3,7 asistime për ndeshje.

“Mendoj se kam bërë hap para si lojtar, ndërsa konkurrenca është bërë më e ashpër. Për mendimin tim në Francë niveliu i basketbollit është më i lartë se në Gjermani, ndonëse edhe Bundesliga është ligë shumë e mirë”.

Të hënën e ardhshme, më 26 shkurt, Finlanda luan ndaj Danimarkës në Espoo. Maxhuni më pas do t’i kthehet angazhimeve te skuadra franceze. Shpreson që zhvillimi i tij do të vazhdojë, ndërsa synim e ka paraqitjen në ndonjë skuadër edhe më të madhe evropiane në të ardhmen.

Artikuj të ngjashëm