Basketboll

Maxhuni tregon se si e mposhtën Serbinë

Edon Maxhuni

(KD) – Finlanda e ka shkaktuar njërën prej befasive më të mëdha në histori të Eurobasketit.

Të shtunën mbrëma në Riga të Letonisë, Finlanda e eliminoi Serbinë në një të tetën e finales. Serbia ishte vlerësuar favoritja kryesore e Eurobasketit, por Finlanda fitoi 92:86 për vend në çerekfinale.

Edon Maxhuni është kohë të gjatë prej lojtarëve të rëndësishëm të Finlandës. Të shtunën ndaj Serbisë nuk ishte prej lojtarëve kryesorë, por megjithatë dha kontribut. Në parket i kaloi 11:33 minuta. I kishte tri kërcime e dy asistime.

Pas ndeshjes fundori me rrënjë nga Kosova foli për gazetarët e shumtë.

“Ishim të gatshëm. Jemi përgatitur. Njëjtë kemi bërë edhe në Eurobasketin e kaluar ndaj Kroacisë. Kemi pësuar humbje të vështirë ndaj Gjermanisë. Kështu që e kemi ditur se duhet të jemi mentalisht gati dhe të fitojmë. Kjo ndodhi. Miro Little ka pasur ndeshje të shkëlqyer. A ishte armë e fshehtë pasi nuk luajti më herët kështu? Nuk ka pasur rast ta dëshmojë këtë. Të gjithë lojtarët tanë mund të jenë të rëndësishëm. Ishte momenti i tij dhe e shfrytëzoi shkëlqyeshëm. Shpresoj se në ndeshjen e ardhshme do të jetë i njëjti dhe do të vazhdojmë”, ka thënë Maxhuni.

Ai tashmë e ka përvojën e shumë ngjarjeve të mëdha me Finlandën. Lauri Markkanen është ylli i madh i Finlandës. Ai ndeshjen ndaj Serbisë e përfundoi me 29 pikë e tetë kërcime. Mikael Jantunen i shënoi 15 pikë, ndërsa Elias Valtonen i shtoi 13. 13 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime i kishte Little.

Supertalenti 18-vjeçar, Miikka Muurinen i realizoi nëntë pikë dhe bëri një ngulitje të frikshme.

Maxhuni ka thënë se kjo është fytyra e vërtetë e Finlandës.

“Natyrisht. Kjo është ajo që duam dhe si i fitojmë ndeshjet. Luftë. Ndoshta nuk kemi lojtarët më të mirë në botë, në Evropë, por kemi djem të shkëlqyer dhe lojtarë të shkëlqyer, kështu që mund të fitojmë. Për shikuesit që na kanë përkrahur mund të jemi falënderues. Gjithnjë na përkrahin, bëjnë zhurmë dhe na ndihmojnë të fitojmë këto ndeshje”, ka theksuar 27-vjeçari Maxhuni.

Ai ka vlerësuar edhe trajnerët, duke thënë se i kanë bërë disa ndryshime që “ndezën”.

Tri përfaqësuese të Grupit B, duke përfshirë Finlandën, kanë avancuar në çerekfinale.

“Pak kemi kombinuar dhe kështu arritëm te fitorja. Suedia nuk kaloi, Lituania, Gjermania dhe ne po. Mendoj se ishte grupi më i fortë. Në Evropë ka ekipe të mira. Nuk ka ndeshje të lehta”, ka theksuar Maxhuni.

Në çerekfinale është kualifikuar edhe Turqia, për të cilën paraqiten Erxhan Osmani e Kenan Sipahi.

Kosova nuk është në Eurobasket. Madje as që ishte afër kualifikimit, ndonëse investimet në basketbollin kosovar janë marramendëse. Rrugëtimi i Kosovës për Eurobasket ka përfunduar shumë vjet më parë.