Sport

Marigona e Erëza, motrat kampione në sporte të ndryshme

Marigona Rushiti është sportistja më e suksesshme në familjen e saj. Hapave të Marigonës synon të shkojë edhe Erëza. Fillimi duket premtues për të.

Marigona dhe Erëza Rushiti janë motra, ndërsa merren me sporte të ndryshme. Kanë zgjedhur sporte me dorë. Marigona është basketbolliste, derisa Erëza luan volejboll. Përderisa Marigona ka më shumë se një dekadë që luan si seniore në skuadra kosovare, Erëza është në vitin e dytë tek ekipi i parë i M-Technologie në Superligën e Kosovës në volejboll.

Me sukseset e Marigonës mburren në familjen Rushiti, të lidhur ngushtë me sportin. Natyrisht, sukseset e saj e frymëzojnë motrën e vogël, Erza, që është dhjetë vjet më e re.

E veçanta e motrave është se në sportet ku aktivizohen karrierën e kanë nisur në moshën e njëjtë, 13-vjeçare. Të dyja kanë debutuar në ekipet e para me 16 vjet.

Arsyeja kryesore që dashuria për sportin ka kapluar familjen Rushiti është te Marigona, e cila qysh kur ishte e vogël u lidh me sportin e basketbollit. Gjithçka nisi prej një gjuajtje në kosh kur ajo ishte vetëm pesë vjeçe dhe po qëndronte në Portugali me familjen e saj. Në Portugali kishin shkuar si refugjatë gjatë luftës në Kosovë.

“Unë isha vetëm pesëvjeçare kur për herë të parë gjuajta kosh dhe u njoftova me sportin e basketbollit. Prej atij momenti basketbolli është bërë pjesë e pandashme e jetës sime”, thotë Marigona, 26-vjeçare.

Erëza inspirimin që t’i përkushtohet sportit e mori nga motra dhe vëllai, Bleroni, që po ashtu merrej me basketboll. Ai ishte pjesë e Kerasan Prishtinës për katër vjet, ndërsa 20-vjeçari tani ka lënë anash basketbollin për t’u fokusuar më shumë në studime.

Duke ndjekur ndeshjet e basketbollit të motrës dhe vëllait e po ashtu duke parë emocionet që sjell sporti, Erzës i lindi dëshira që të bëhet pjesë e familjes sportive. Për dallim nga Marigona e Bleroni, Erëza zgjodhi një sport tjetër. Ajo vendosi t’i përkushtohet volejbollit, të cilin e nisi si hobi. Erëza pranon se asnjëherë nuk e kishte menduar se mund të bëhet pjesë e Superligës me 16 vjet. Puna e palodhshme tek ekipi i të rejave te M-Technologie, që garon në Ligën e Parë, u shpërblye kur Erëza mori ftesë nga Përfaqësueset e Kosovës për grupmoshat U17 dhe U19.

17-vjeçarja përfaqësoi Kosovën në garat ndërkombëtare për grupmoshat e reja në Mal të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinë. Pjesëmarrja në këto gara i ndihmoi Erzës të ngrihet profesionalisht, të rrisë vetëbesimin dhe të trasojë rrugën për në elitë. Nuk vonoi shumë dhe ajo u promovua në ekipin e parë të M-Technologies. Kjo ndodhi vitin e kaluar. Suksesin e parë si seniore e arriti po në edicionin e kaluar (2019/2020) kur e fitoi titullin e kampionit. Erëza ndihet me fat dhe krenare që në moshë të re fitoi titullin e kampionit, ndjenjë që Marigona e ka përjetuar shpesh në basketboll.

“Fitimi i titullit të kampionit më herët, këtë vit, do të jetë një kujtim që përherë do të mbetet me mua, jo vetëm pse është titulli i parë në karrierën time, por sepse arritëm të shpallemi kampion në kushte të jashtëzakonshme kur e gjitha bota po përballet me pandemi”, thotë Erëza.

Ndërkohë Marigona ka fituar çdo trofe që mund të fitohet në basketbollin e femrave. Erëza si fëmijë ka ndjekur ndeshjet e Marigonës, gjë që e bën edhe tani dhe pranon se motra e madhe vazhdon të jetë inspirimi i saj, si brenda ashtu edhe jashtë palestrës.

“Duke marrë parasysh se kemi dhjetë vjet diferencë në moshë, unë jam rritur me sukseset e Marigonës. E kam parë atë duke fituar trofe të shumtë në basketboll dhe për këtë arsye Marigona mbetet inspirimi im”, thotë Erëza në një bisedë për KOHËN.

Marigona ka luajtur 11 vjet për Prishtinën dhe ka fituar shumë tituj të kampionit, Kupa të Kosovës dhe Superkupa. Tani po luan për Bashkimin e Prizrenit dhe menjëherë ka fituar Superkupën. Ajo mban rekordin për më së shumti pikë të shënuara në një ndeshje në basketbollin kosovar. Në vitin 2018 kishte shënuar plot 116 pikë në fitoren e Prishtinës kundër Vushtrrisë (126:31).

Edhe Marigona pothuajse është gjithmonë e pranishme në ndeshjet e Erzës, të cilën e përkrah vazhdimisht. Motra e madhe, bazuar në përvojën si sportiste, di ta këshillojë por edhe ta kritikojë motrën e vogël.

Basketbollistes sporti i volejbollit i duket mjaft atraktiv dhe me shumë qejf i përcjell ndeshjet, e po ashtu edhe e pëlqen ta luajë këtë lojë. Marigona zbulon se shpeshherë me Erzën luajnë kundër njëra-tjetrës volejboll vetëm sa për t’u argëtuar. Sukseseve të motrës së vogël Marigona thotë se iu gëzohet më shumë se sukseseve të saj.

“Ndihem shumë krenare që e kam motrën e vogël sportiste. Sukseset e Erzës në volejboll më sjellin më shumë gëzim se ato të miat në basketboll”, thotë ajo.

Për dallim prej Marigonës që gjithë karrierën sportive e ka zhvilluar në Kosovë, Erëza ka plane tjera. Ambiciet e volejbollistes janë që të përfundojë shkollën e mesme në Kosovë dhe njëkohësisht të luajë volejboll, ndërsa studimet universitare ajo shpreson t’i përfundojë në SHBA dhe njëkohësisht të luajë në ligën e kolegjeve atje.

“Ky edhe është synimi im i madh si volejbolliste”, pranon ajo.

Motrat edhe pse luajnë sporte të ndryshme, stërviten shpesh së bashku. Edicionet si në basketboll ashtu edhe në volejboll përfundojnë në të njëjtën kohë dhe pushimi është më i gjatë. Gjatë verës kohën e pushimeve ato e shfrytëzojnë për të stërvitur së bashku, duke vrapuar në natyrë dhe duke shkuar së bashku në palestër.

Në familjen Rushiti sporti gjithmonë është temë edhe pse koha e dy sportisteve në shtëpi është e limituar.

“Është mjaft e vështirë që të dyja merremi me sport. E kemi kohën e limituar që të mblidhemi në shtëpi e gjithë familja, madje edhe vikendeve. Krahas stërvitjeve dhe lojës ne i kushtojmë shumë rëndësi edhe ushqimit”, theksoi Marigona.

Ajo synon trofe të tjerë me Bashkimin, ndërsa shpreson të nisë karrierën edhe me Kosovën, që nuk ka debutuar ende me ekipin senior. Ndërkohë synimet e Erzës momentalisht janë të lidhura me M-Technologie. Natyrisht ajo llogarit në ndihmën e madhe të motrës.

Image