Roberto Mancini më nuk është përzgjedhës i Italisë në futboll. Këtë e ka bërë të ditur të dielën Federata e Futbollit e Italisë. Federata ka njoftuar se përzgjedhësin e ri do ta emërojë në ditët e ardhshme. Dorëheqja e Mancinit ka ardhur në kohë të papërshtatshme. Italia në fillim të shtatorit luan ndeshje vendimtare për kualifikim në Euro 2024. Më 9 shtator takohet me Maqedoninë e Veriut në Shkup, ndërsa më 12 shtator e pret Ukrainën në Milano.
Italia nisi kualifikimet me humbjen 2:1 nga Anglia dhe fitoren 2:0 ndaj Maltës. “Duke pasur parasysh rëndësinë e ndeshjeve dhe zhvillimin e shpejtë të tyre, emri i përzgjedhësit të ri do të mësohet në ditët e ardhshme”, thuhet në komunikatën e Federatës së Futbollit të Italisë. Puna e Mancinit është vlerësuar lartë.
“Federata njofton se ka pranuar dorëheqjen e Roberto Mancinit nga posti i trajnerit të ekipit përfaqësueses të Italisë, dorëheqje që është paraqitur të shtunën mbrëma. Një faqe e rëndësishme e historisë së ‘Azzurëve’ mbyllet kështu. Ajo është hapur në maj të vitit 2018 dhe është përfunduar me finalet e Ligës së Kombeve 2023. Gjatë kësaj periudhe u arrit triumfi në Euro 2020. Është një triumf i arritur nga një skuadër ku të gjithë idvidët ishin në gjendje të krijonin një grup”. Dorëheqja është e papritur edhe për faktin që disa ditë më parë Mancini është zgjedhur koordinator i ekipeve të reja përfaqësuese të Italisë, pozitë që i jepte më shumë kompetenca në rritjen e talenteve. Me Mancinin në krye, Italia fitoi Evropianin 2020 dhe arriti rekord botëror për serinë pa humbje në futbollin ndërkombëtar. Ai largohet nga “Azurët” me 39 fitore, 13 barazime dhe nëntë humbje. Gjatë këtyre ndeshjeve, Italia shënoi 130 gola, ndërsa i pranoi 49. 58-vjeçari ishte zgjedhur selektor në maj të vitit 2018 dhe kishte kontratë deri në qershor të vitit 2026. Mancini është emër i madh i futbollit italian. Pas karrierës së suksesshme si lojtar, ai ka punuar si trajner te Fiorentina, Lazio, Interi, Manchester City, Galatasaray dhe Zenit St. Petersburgu.