Gennaro Gattuso më nuk është selektor i Italisë në futboll.
Vendimi për largim u mor të premten pasi Italia nuk ia doli të kualifikohet në Kupën e Botës. Sipas njoftimit të Federatës së Futbollit të Italisë kontrata është shkëputur me marrëveshje të dyanshme.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoItalia ka dështuar të kualifikohet në Botëror për herë të tretë rresht, ndonëse ka katër tituj të kampionit. Në finale të plejofit u mposht me penallti nga Bosnjë-Hercegovina, të martën në Zenicë.
Dështimi për t’u kualifikuar në Botëror është pritur shumë rëndë në Itali. Tashmë dorëheqje kanë dhënë presidenti i federatës, Gabriele Gravina, dhe drejtori i përfaqësueses, Gianluigi Buffon.
Gattuso ishte në krye të Italisë nga qershori i vitit të kaluar. Largimi i tij pritej.
Federata e Futbollit e Italisë e ka falënderuar Gatusson për përkushtimin dhe pasionin e shfaqur gjatë nëntë muajve të kaluar.
“Me zemër të rënduar, pasi nuk ia dolëm të realizojmë qëllimin që ia kishim vënë vetes, kam vendosur që koha ime në krye të përfaqësueses së Italisë të përfundojë”, ka thënë Gattuso.
“Fanella ‘azzurre’ është gjëja më e vlefshme në futboll. Ishte nder për mua ta drejtoj ekipin nacional dhe ta bëj këtë me një grup lojtarësh që treguan përkushtim për fanellën. Falënderimi më i madh është për tifozët, për të gjithë italianët, që asnjëherë nuk kanë dështuar të tregojnë dashurinë e tyre për ekipin nacional gjatë këtyre muajve. Gjithnjë ‘azzurri’ në zemrën time”, ka thënë Gattuso.
48-vjeçari kishte karrierë të suksesshme si futbollist. Kryesisht bëri emër te Milani. Si trajner ka punuar në shumë skuadra, por pa e arritur nivelin që e kishte si futbollist. Ai mori drejtimin e Italisë kur shumë trajnerë të njohur italianë refuzuan.
“Dua ta falënderoj Gattuson. Pos që është njeri i veçantë, ai ka dhënë kontribut të çmuar si trajner duke ia dalë të rikthejë entuziazmin për ekipin nacional brenda pak muajve. Ai ka ngulitur te lojtarët dhe në gjithë vendin krenarinë e madhe për fanellën e kaltër”, ka thënë Gravina, presidenti në largim i federatës italiane.