Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Manchester Unitedi mund ta rrënojë “Old Traffordin” për të ndërtuar një stadium të ri

Një plan për të rrëzuar “Old Traffordin” dhe për ta ndërtuar atë prej fillimit është në tavolinë, pasi Manchester Unitedi po shqyrton mënyrën më të mirë për ta bërë stadiumin ikonik të përshtatshëm për kohën.

Ndërtimi i stadiumit të klubit më të famshëm të futbollit anglez nga themeli do të ishte një mënyrë e jashtëzakonshme për të zgjidhur një sërë problemesh që e prekin aktualisht Unitedin. Bëhet e ditur se rrënimi i stadiumit është një nga tri propozimet që aktualisht po shqyrtohen nga klubi.

Unitedi ka shumë hektarë në Stretford, ku do të ndërtonte një stadium për të rivalizuar cilindo në botën e sportit, nëse drejtuesit vendosin ta bëjnë një gjë të tillë. Një nga dy idetë e tjera që po shqyrtohen është rindërtimi dhe shtrirja e vjetër dhe problematike e tribunës jugore mbi linjën hekurudhore që kalon pas stadiumit. Tjetra është të lihet stadiumi i paprekur në strukturë, por të kryhet një rinovim gjithëpërfshirës i zonave të spektatorëve në të katër anët.

Aktualisht mendohet se rinovimi i tribunës jugore është i përshtatshëm më shumë për pronarët e klubit, familjen Glazer, dhe është opsioni më i mundshëm. Do të ishte gjithashtu edhe më i pranueshëm për tifozët. Teknologjia aktuale e ndërtimit do të mundësonte zgjidhje të linjës hekurudhore, një çështje që u konsiderua e ndaluar për shumë vjet, në rrugën drejt rritjes së kapacitetit të stadiumit nga 74,000 në mbi 80,000 ulëse.

Unitedi ka thënë se do të preferonte një rindërtim në faza të “Old Traffordit” dhe klubi sipas të gjitha gjasave do të ishte në gjendje ta kryente këtë punë pa ndikuar në kapacitetin e stadiumit. Megjithatë, opsioni për prishjen e stadiumit 112-vjeçar kuptohet se është real dhe është pjesë e propozimeve që arkitektët dhe inxhinierët kanë shqyrtuar teksa kanë bërë ofertat për kryerjen e punimeve.

Edhe Manchester Unitedi zbulon planet për “stadiumin më të madh në botë” Futboll Manchester Unitedi zbulon planet për “stadiumin më të madh në botë”

Ndoshta pengesa më e madhe që Unitedi të luajë përfundimisht në një stadium krejtësisht të ri është se skuadrës do t'i duhet të gjejë një stadium diku tjetër për të luajtur për dy vjet derisa të kryhen ndërtimet.

Kur Arsenali dhe Tottenhami prisnin që të përfundonin punët në stadiumin e tyre të ri, i luajtën ndeshjet në “Wembley”. Ky nuk do të ishte një opsion për Unitedin dhe nuk ka asnjë klub jashtë Premier Leagues në veriperëndim që të ketë një stadium mjaft të madh për ta ndarë me një ekip tjetër.

Ndarja e stadiumit me fqinjët e Manchester Cityt nuk do të mund të ndodh kurrë. “Old Traffordi” mbetet një nga stadiumet më të famshme në sportin botëror dhe ka pritur ndeshjet e Kupës së Botës dhe Kampionatit Evropian, si dhe një finale të Ligës së Kampionëve. Por pavarësisht disa përpjekjeve për modernizim gjatë viteve, ai tani bie pak më poshtë standardeve të kërkuara nga një klub elitar anglez. Stadiumet si ai i Tottenhamit dhe Arsenalit janë aktualisht shumë më superiorë.

Unitedi ka premtuar se do të konsultohet me tifozët gjatë gjithë procesit dhe shefi operativ i klubit, Collette Roche tha në një forum të tifozëve se disa opsione tashmë po shqyrtoheshin.

Edhe Unitedi zgjedh arkitektët e stadiumit të Tottenhamit Sport Unitedi zgjedh arkitektët e stadiumit të Tottenhamit

“Këto takime kanë prodhuar ide të mundshme emocionuese, megjithëse është e rëndësishme të theksohet se ne jemi ende në një fazë të hershme dhe është e parakohshme të flasim për oraret apo ndryshimet që do të bëhen. Pra, vetëm jemi në shqyrtim të disa opsioneve që tashmë i kemi para vetes”, tha Roche.

Një njoftimin e klubit thuhet se pas emërimit të një arkitekti do të priten edhe lajmet e tjera për planet e konfirmuara që do të pasojnë më vonë për të ardhmen e stadiumit “Old Trafford”.