Është përcjellë me kritika të shumta maketi i presidentit legjendar të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri. Reagimet kanë qenë nga më të ndryshmet. Shumë prej tyre kanë dhënë komente se as për së afërmi nuk i ngjason figurës së Vokrrit. Por, është komuniteti i artistëve që i ka dalë në mbrojtje skulptorit Agron Blakçori, që do ta punojë shtatoren e Vokrrit. Një nga artistët që i ka dalë në mbrojtje është Arben Shala.
“Nuk po i kuptoj gjithë këto komente negative për një punë të papërfunduar, kjo është vetëm shembulli se si do të duket shtatorja. Për mua personalisht janë të rëndësishme lëvizja dhe energjia e Fadil Vokrrit. Djali e ka studiuar deri në pikën e fundit. Ta shohim punën finale e pastaj kemi të drejtë të flasim”, ka shkruar në rrjetin social në Facebook, artisti Shala.
Edhe vetë Blakçori kërkon durim derisa ajo të përfundojë. Modeli do të jetë i njëjtë, por mund të ndryshojnë disa detaje.
“Sigurisht se duhet të kenë durim deri në fund, pasi është ende në proces, është vetëm maketi dhe asgjë nuk ka përfundimtare. Nuk është gjithçka e finalizuar. Është një dallim i madh nga një punim 50 centimetrash në tre metra”, ka thënë Blakçori.
Maketi i shtatores është zbuluar të martën në dyvjetorin e vdekjes së Vokrrit, ku i pranishëm ishte edhe i biri i tij, Gramozi, që po ashtu ka qenë në komisionin e përzgjedhjes.
“Kanë qenë tri figura të ndryshme dhe kjo ka qenë më e përafërt me stilin e tij. Më vjen mirë që është përzgjedhur në kohën kur ka luajtur e jo pas futbollit, sepse ajo që e karakterizon Fadil Vokrrin është futbolli. I pashë reagimet e njerëzve që e panë modelin dhe morëm reagime pozitive. Kjo do të thotë që ia kemi qëlluar me përzgjedhjen”, ka insistuar Gramoz Vokrri.
Për Blakçorin, do të jetë hera e parë që do ta punojë një shtatore të një sportisti. Por, nuk do të jetë vepra e parë e tij. Ai ka punuar edhe shtatoren e Ali Ajetit të vendosur në Podujevë, pastaj të Abdyl Frashërit në Prizren, Ahmet Krasniqit në Vushtrri, Asllan Fazliut në Drenas, e po ashtu edhe portretin e Anton Çetës e shumë projekte të tjera.
“Këto mund t’i shohin edhe qytetarët dhe ta shohin punën time e të binden se si e finalizoj një punë. Puna ime është vlerësuar nga të gjithë njohësit e kësaj fushe dhe unë do ta dëshmoj edhe në shtatoren e legjendës Vokrri. Do të nis të punoj posa ta pranoj maketin në duar sërish. Do të ketë disa ndryshime të vogla, por varësisht nga propozimet që do t’i marr nga familja”, ka theksuar Blakçori.
Projekti për shtatoren shtetit i ka kushtuar rreth 50 mijë euro, derisa bashkë me bazën do të jetë e madhe rreth 5 metra. Blakçori pret që deri në mes të muajit korrik ta përfundojë modelin në argjile, derisa shtatorja e Vokrrit parashihet të përfundojë në fund të muajit shtator dhe të ngrihet në muajin tetor pranë stadiumit “Fadil Vokrri”.