Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se shtatorja e legjendës së futbollit kosovar Fadil Vokrri do të përurohet më 9 qershor.
Çeku në seancën në Kuvend të Kosovës, ka thënë po ashtu se parku i planifikuar të ndërtohet afër shtatores nuk do të realizohet me kohë për shkak të mospërmbushjes së kritereve të UEFA-s, raporton Ekonomia Online.
Çeku është përgjigjur në pyetjen e deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu. Haxhiu ka pyetur nëse punimet janë duke shkuar sipas planifikimit.
“Kuvendi ka ndarë 200 mijë euro për shtatoren e Fadil Vokrrit dhe prej muajit tetor ajo është e përfunduar. Ajo ende nuk është vendosur në lokacionin e përcaktuar”, tha Haxhiu.
E ministri i MKRS-së, Çeku, tregoi se më 9 qershor do të përurohet shtatorja.
“Bazamenti është përfunduar dhe bashkë do ta përurojmë më 9 qershor, por parku nuk mund të ndërtohet dhe arsyet janë mos përmbushjet e kritereve të UEFA-së, shtatoren do ta kemi në pjesën perëndimore por jo edhe parkun”, u shpreh Çeku.