Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Plot 1,3 milionë euro për fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”

Rinovim i fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do t’i kushtojë buxhetit të shtetit plot 1,3 milionë euro. Këtë e ka bërë të ditur të premten ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Ministri Çeku ka njoftuar se është firmosur memorandumi me Federatën e Futbollit të Kosovës për rinovimin e fushës së stadiumit që është i mbyllur që nga vjeshta e vitit të kaluar.

“Sot kemi nënshkruar memorandum me Federatën e Futbollit të Kosovës. Bashkë do të investojmë 1,3 milionë euro për rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit ‘Fadil Vokrri’. Punimet do të nisin së shpejti dhe stadiumi do të jetë i gatshëm për ndeshje vendore dhe ndërkombëtare”, ka shkruar ministri Çeku.

Marrëveshja në mes të FFK-së dhe MKRS-së për rinovimin e fushës në stadiumin e qytetit në Prishtinë ishte arritur që më 24 nëntor të vitit të kaluar. Por deri më tani nuk ka pasur asgjë të firmosur. Stadiumi pritet të hapet në verën e vonshme, ndonëse nuk është saktësuar ndonjë datë se kur do të nisin punimet.

Stadiumi është pronë e Komunës së Prishtinës, ndërsa menaxhohet nga FFK-së. Edhe rinovimi i madh i “Fadil Vokrrit” ishte bërë kryesisht me paratë e taksapaguesve kosovarë.

Gjendja e fushës në “Fadil Vokrri” ishte shumë e keqe për kohë të gjatë. Në vjeshtë, për shkak të ngarkesës dhe mosmirëmbajtjes së duhur, mezi janë luajtur ndeshje ndërkombëtare në këtë stadium. Ballkani nuk ishte lejuar që ta luajë ndeshjen e fundit në Ligën e Konferencës në “Fadil Vokrri” dhe ishte zhvendosur në Tiranë.

Edhe Fillojnë punimet për rinovimin e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri” Futboll Fillojnë punimet për rinovimin e fushës në stadiumin “Fadil Vokrri”

Kritikat për gjendjen e fushës ishin të shumta, ndërsa një lojtar i Izraelit e krahasoi me stallë derrash.

Të hënën nisën punimet në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, që pas dy vjetësh pritet të jetë i gatshëm për ndeshje ndërkombëtare. Aktualisht Kosova nuk e ka asnjë stadium të gatshëm për ndeshje evropiane.

Përfaqësuesja e Kosovës në mars e në qershor do të luajë ndeshje miqësore jashtë vendit. Në shtator nis me ndeshje në Ligën e Kombeve. Skuadrat nuk kanë ndeshje evropiane deri në verë, ndërsa Prishtina si nikoqire po luan kryesisht në Lipjan.