“Me investimin e ri, stadiumi ‘Fadil Vokrri’ është gati të mirëpresë ndeshje të mëdha në një fushë që plotëson standardet më të larta ndërkombëtare”.
Kështu shkroi një ditë më parë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Por jo të gjithë vlerësojnë se fusha në stadiumin e Prishtinë është në gjendjen që e paraqet ministri Çeku. Renovimi i plotë i fushës ka kushtuar 1.3 milionë euro, ndërsa punimet janë bërë për shumë muaj. Stadiumi është hapur për ndeshje javë më parë, pasi ishte mbyllur në vjeshtën e vitit të kaluar.
Të enjten mbrëma në “Fadil Vokrri” ndeshjen e kthimit të raundit të plejofit të Ligës së Konferencës e zhvilluan Drita e Gjilanit dhe skuadra polake Legia Varshava. Legia fitoi 1:0 dhe u kualifikua tutje me rezultatin e përgjithshëm 3:0. Në Varshavë, Legia kishte fituar 2:0.
Trajneri i Legias, portugezi Gonçalo Feio, ka folur për gjendjen e fushës në konferencën për shtyp.
Sipas tij, fusha nuk ishte në gjendjen e duhur.
“Sa i takon ndeshjes, nuk kam pritur që fusha të ketë aq ndikim në rrjedhën e lojës. Nuk e di nëse kemi bërë gjënë e duhur që kemi ushtruar në Poloni, pasi nuk kemi mundur të përshtatemi me fushën. Ishte e vështirë për ne të operojmë me top, kjo është diçka që duhet menduar. Ishte një ndeshje në fushë të vështirë, kushtet ishin të vështira”, ka thënë Feio.
Deklarata e tij është paraqitur në sajtin zyrtar të Legias. Kjo skuadër nuk zhvilloi fare stërvitje në fushën e “Fadil Vokrrit” para ndeshjes.
Trajneri portugez ka thënë se ngarkesa në këmbët e lojtarëve të tij është më e madhe pas lojës në “një shtresë të tillë”. Feio ka thënë se është i lumtur që asnjë lojtar i skuadrës së tij nuk është i lënduar.
Tomas Pekhart, që shënoi golin e fitores për Legian në minutën e 91-të, po ashtu foli për gjendjen e fushës në “Fadil Vokrri”. Ai ishte edhe më konkret. Ka thënë se fusha ishte e keqe.
“Arritëm synimin tonë të parë. Jemi shumë të lumtur, ndonëse ishte një ndeshje e vështirë, në një fushë shumë të keqe”, ka thënë Pekhart, duke vazhduar: “Kjo fushë... është një terren artificial i mbuluar me gurë. Ju vraponi mbi të si në beton. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në karrierën time”, ka shtuar futbollisti çek.
Fusha në stadiumin “Fadil Vokrri” është kritikuar edhe para renovimit të plotë. Një futbollist i Izraelit e kishte krahasuar me “stallë derrash”. Pas dëmtimit shumë të rëndë u vendos të renovohet plotësisht.
Por me gjithë lavdet nga përgjegjësit, gjendja e fushës u kritikua menjëherë.
Në postimin e ministrit Çeku përmendet edhe “sistemi i përparuar i drenazhimit e ngrohjes dhe gjendja optimale për lojë”.
“Fusha e re është ndërtuar duke përdorur sistemin hibrid, i cili është fjala e fundit e teknologjisë në botë. Ky sistem garanton qëndrueshmëri dhe performancë të lartë të fushës në çdo kusht atmosferik. Përveç sistemit hibrid, stadiumi tani ka një sistem të përparuar të drenazhimit dhe ngrohjes, i cili siguron që fusha të jetë gjithmonë në gjendje optimale për lojë. Pajisjet e specializuara për mirëmbajtje janë blerë dhe stafi është trajnuar për t’u siguruar që fusha të mbetet në kushte të përsosura për çdo ndeshje. Investimi i përbashkët me Federatën e Futbollit të Kosovës ka vlerën 1.3 milionë euro, ndërsa u realizua nga një kompani e certifikuar nga FIFA, me përvojë të gjerë në ndërtimin e fushave hibride në të gjithë botën”, shkruan në postimin e ministrit Çeku.
Në “Fadil Vokrri” të shtunën luan Prishtina ndaj Llapit.
Pas një jave luan Kosova ndaj Rumanisë. Dhe kritika të tjera për gjendjen e fushës priten, sidomos nga rumunët. Futbollistët e trajnerët në Kosovë zakonisht janë më të rezervuar. Ndër të tjera, edhe për të “respektuar” investimin e bërë. Apo për të shmangur hakmarrjet eventuale.
FFK-ja, por edhe organizatat e tjera, vështirë i pranojnë kritikat që u bëhen. Jo shumë kohë më parë, kryetari i FFK-së, Agim Ademi, shkroi për “mrekulli” për gjendjen e fushës në “Fadil Vokrri”.
“Kjo arenë sportive, e shndërruar në fushë hibride, është një mrekulli që përfaqëson ëndrrat, përkushtimin dhe fuqinë e popullit tonë. Çdo ndeshje në këtë stadium është dëshmi e rritjes sonë, duke u bërë simbol i pasionit për futbollin. Krenarë që e kemi në zemër të Prishtinës”, ka shkruar Ademi më 8 gusht.
Rrallë investimet e bëra në infrastrukturën sportive janë vlerësuar të nivelit të duhur, me gjithë dhjetëra miliona të investuara. Dhe kjo gjë duket se nuk po ndryshon.